
Gjykata e Korçës vendos shërbim prove për Dritson Kurtin.
Në seancën e mbajtur ditën e sotme në gjykatën e Korçës u vendos që Kurti të kryejë dënimin e shërbimit të provës për 5 vite.
Ka qenë kjo kërkesa e organit të akuzës ndërkohë që pala mbrojtëse ka pretenduar pafajësinë duke përdorur si argument traditën e komunitetit rom, ndërsa gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë.
Dritson Kurti u arrestua vitin e kaluar pasi solli në jetë një foshnjë me bashkëjetuesen e tij të mitur.
Avokati i 21-vjeçaarit, Enea Cenko, deklaroi se Kurti është i pafajshëm dhe se nuk është i kënaqur me vendimin e marrë nga gjykata.
Sakaq paralajmëroi se mund t’i drejtohen gjykatës së Strasburgut për të kërkuar pafajësinë e Dritsonit.
“Sot ishte një vendim për Dritson Kurtin, gjykata e Korçës tashmë ka miratuar kërkesën e organit të akuzës që është shprehur për nenin 59 të kodit penal. E ka dënuar tashmë dhe gjykata e Korçës me një dënim prej 5 vitesh shërbim prove. Duhet theksuar që kjo gjë nuk na kënaq sepse unë vazhdoj të deklaroj që Dritson Kurti është i pafajshëm. Dua ta ritheksoj këtë fakt sepse nuk duhet të kënaqemi me nenin 59, për arsye sepse një pjesë e mirë e këtij komuniteti të nderuar në Shqipëri, që punojnë, e dashurojnë kulturën e njerëzit e mirë, duhet theksuar që këta si persona martohen që në djep sepse lidhen baballarët me njëri tjetrin dhe martojnë fëmijën që të vogël. Kjo është kultura e tyre, duhet ti respektojmë për këtë, gjithsesi ishte një moment i mirë procedural që Dritsoni t’i bashkohet familjes, të rrijë pranë vajzës së tij të mitur ku ende nuk e ka gëzuar. Duhet theksuar që është një rast që nuk është bërë me kallëzim nga bashkëjetuesja e tij, por është kallëzim i ngritur kryesisht. Edhe ne si mbrojtje kërkuam të aplikohej neni 59 i kodit të procedurës penale.
Do të konsultohem edhe me Dritsonin, në rast që do e ndjekim këtë proces, unë do ta çoj deri në gjykatën e Strasburgut për të kërkuar pafajësinë e vërtetë sepse ai është i pafajshëm. 70-80% e këtij komuniteti janë në këto kushte.
Me këtë rast i bëj thirrje të gjithë institucioneve përkatëse, të ndërmarrin një iniciativë ligjore, komisionet parlamentare të ulen të diskutojnë, duke marrë parasysh dhe konventat europiane, të bashkëbisedojnë me ndërkombëtarët për të rishikuar kodin penal sepse nesër pasnesër mund të ketë të tilla situata sepse kjo është një kauzë.”, u shpreh avokati.
Top Channel