
Shqipëria përmbyll me sukses Presidencën e saj të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (#SEECP) për periudhën korrik 2024 – qershor 2025, me moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”.
Sot, Tirana u bë sërish qendër e diplomacisë rajonale, duke mirëpritur krerë shtetesh dhe përfaqësues të lartë nga 13 vende pjesëmarrëse në Ministerialin përmbyllës.
Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria është fokusuar në tre prioritete: forcimin e bashkëpunimit politik, përshpejtimin e integrimit ekonomik dhe rezultate konkrete në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Në fjalën e tij hapëse, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, theksoi rolin aktiv të Shqipërisë në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe në përshpejtimin e integrimit evropian. Ai rikujtoi se gjatë kësaj periudhe, Shqipëria ka drejtuar me sukses pesë presidenca rajonale dhe ndërkombëtare: Bashkëpunimin Ekonomik të Detit të Zi, Kartën e Adriatikut, Nismën e Evropës Qendrore, Nismën për Azil, Migracion dhe Refugjatë, si dhe vetë SEECP-në. Po ashtu, ai përmendi organizimin në Tiranë të Samitit të 6-të të Komunitetit Politik Evropian më 16 maj 2025, si një moment kyç për dialogun mbi sigurinë, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik në Evropë.
Ministri Hasani nënvizoi se bashkëpunimi rajonal forcon themelet për anëtarësimin në BE — një hap i domosdoshëm dhe plotësues për të ardhmen e rajonit. Ai theksoi: “Zgjerimi i BE-së nuk është vetëm një proces politik, por një investim strategjik për paqen dhe stabilitetin në të gjithë Evropën.”
Duke folur për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, Ministri Hasani shtoi:
“Me hapjen e katër grup-kapitujve të negociatave, Shqipëria është në rrugën e duhur dhe tërësisht e përkushtuar për të avancuar procesin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Objektivi ynë është ambicioz, por i arritshëm: të hapim të gjithë grup-kapitujt deri në fund të vitit 2025 dhe të përmbyllim negociatat deri në fund të vitit 2027. Po punojmë me vendosmëri që Shqipëria të jetë gati për anëtarësim të plotë para fundit të kësaj dekade.”
SEECP përfshin 13 vende pjesëmarrëse: Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Malin e Zi, Rumaninë, Serbinë, Slloveninë, Kosovën dhe Turqinë. Si platformë e iniciuar nga vetë vendet e rajonit, SEECP mbetet një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit, zgjidhjen e sfidave të përbashkëta dhe përgatitjen për integrim të plotë në strukturat evropiane dhe euroatlantike.
Top Channel