
Vera konsiderohet si stina e zjarreve, ku hapësirat me risk të lartë janë masivet pyjore, të cilat jo rrallë herë përfshihen nga zjarre të fuqishme që marrin përmasa të mëdha dhe vijojnë për ditë të tëra.
Vetëm vitin e kaluar, shërbimi zjarrfikës në Shqipëri ka ndërhyrë në 3,120 raste zjarresh në zona me pyje, kullota apo shkurre. Për të parandaluar dhe përballuar këto situata, prej datës 15 qershor, shërbimi zjarrfikës kalon në gatishmëri të përforcuar në të gjithë vendin.
“Përveç shërbimit zjarrfikës 24/7 kemi rritur me 20% numrin e efektivi. Çdo ditë një grup i gatshëm do t’i vijë në ndihmë grupeve që janë 24 orësh duke i caktuar në pika kyçe. Në Tiranë janë në Dajt në Pezë, në Krabë Në qytetet e mëdha e turistike kanë ngritur nga një stacion provizor që të jenë afër vendit të ngjarjes.“-shprehet Arben Cara, drejtor i përgjithshëm i MZSH.
Për të parandaluar përhapjen e zjarreve masive, përveç përmirësimit të logjistikës dhe infrastrukturës, shërbimi zjarrfikës po bashkëpunon me 62 bashkitë e vendit për hapjen e rrugëve provizore dhe korridoreve mbrojtëse që ndihmojnë në ndërprerjen e flakëve.
“Në masive pyjore kemi vështirësi të ndërhyjmë se nuk kanë rrugë të duhura Kemi kërkuar hapje të korRidoreve që zjarret të ndërpriten dhe të hyjmë me automjete. Ka një përpjekje por terrenet janë të vështira dhe investimet që duhen bërë kërkojnë shuma të konsiderueshme.”
Por në luftë me zjarret në këtë stinën përvëluese zjarrfikësit nuk mund të jenë vetëm.
“Ftojmë qytetarët jo vetëm të na njoftojnë kur bie zjarr në numrat e urgjences por edhe të na bashkohen vullnetarisht në fikjen e zjarrit pasi një reagim i hershem në kohën dhe në momentin e duhur minimizon dëmet.”
Zjarret nuk falin. Ato shkatërrojnë në pak orë atë që natyra ka ndërtuar për dekada. Prandaj, të gjithë kemi një rol: të jemi të kujdesshëm, të mos ndezim flakë të pamenduara dhe të njoftojmë menjëherë për çdo zjarr.
Top Channel