
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha të martën se forcat e armatosura iraniane do të vazhdojnë të sulmojnë Izraelin derisa ky i fundit të ndalojë sulmet e tij ndaj Republikës Islamike.
Në ditën e katërt të një konflikti të paprecedentë midis dy vendeve armiqësore, diplomati iranian shkroi në një postim në platformën X se “kriminelët e luftës që fshihen në bunkerë në Tel Aviv nuk do të mbeten të pandëshkuar për krimet e tyre”.
“Mjafton vetëm një telefonatë nga Uashingtoni për të heshtur dikë si Netanyahu“, tha ministri i jashtëm iranian, duke akuzuar kryeministrin izraelit se ka mashtruar presidentët amerikanë në të kaluarën në mënyrë që SHBA-të të zhvillonin luftëra në emër të Izraelit.
Komanda ushtarake veriore izraelite njoftoi fundin e një alarmi të mëparshëm për një sulm me raketa nga Irani, duke vënë në dukje se ai kishte fushëveprim të kufizuar dhe u interceptua me sukses.
Sipas autoriteteve izraelite, nuk u raportuan të lënduar ose dëme të konsiderueshme materiale.
Top Channel