Akuzohet për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, Arben Frroku kundërshton dënimin e përjetshëm! Gjykata Kushtetuese kalon në seancë kërkesën e tij

16/06/2025 16:48

Tetë vjet nga vrasja e ish-drejtorit të policisë së Vlorës, Artan Cuku, drejtësia e tha fjalën e saj.

Bledar Jambelli, porositësi i këtij krimi të urdhëruar për shkak të detyrës që mbante kryepolici, u dënua me burgim të përjetshëm.

Burim i përjetshëm u shpall nga gjyqtari penal Gerd Hoxha edhe për Kristaq Lecin, i cili ndërmjetësoi për atentatin me Mikel Shallarin, që iu premtua 20 mijë euro në këmbim të vrasjes.

Shallari u zbulua nga një kamera sigurie dhe arrestimi i tij u konfirmua nga analizat e ADN-së. Ndërkohë që si një i penduar, ai rrëfeu detaje konkrete duke përfituar uljen e dënimit në tetë vite burg. Por, ndërsa procesi u veçua për të tjerët, drejtësia nuk ia doli mbanë të sjellë në Shqipëri Jambellin, i cili dyshohet se kërkoi vrasjen e kryepolicit pasi ish-drejtori e kishte arrestuar në qytetin e Vlorës kohë më parë.

I arrestuar nga grekët për qëllime ekstradimi, Jambelli njohur ndryshe edhe si Rikardo Muho, shpëtoi nga burgu pasi Gjykata e Lartë greke urdhëroi lirimin. E njëjta procedurë kishte ndodhur më herët edhe me një të dyshuar tjetër, Arben Frrokun, i cili akuzohet për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Pasi u lirua nga Greqia, Frroku u zhvendos në Holandë, prej nga ku kundërshtoi dënimin e përjetshëm. Gjykata Kushtetuese ka kaluar në seancë plenare kërkesën e biznesmenit Frroku, që këmbëngul rihapje të procesit.

Frroku u gjet fajtor nga drejtësia për vrasjen e komisarit dhe në fillim të këtij viti, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, e ktheu pas dosjen e tij për t’u gjykuar në Gjykatën Kushtetuese, e cila më herët kishte vendosur ta refuzonte biznesmenin.

Edhe kryekomisari Dritan Lamaj u qëllua në afërsi të shtëpisë së tij, kurse në shkallën e parë biznesmeni Frroku mori pafajësi, një vendim që u rrëzua nga Apeli, i cili deklaroi burgimin e përjetshëm.

Edhe me dënimin e Jambellit me burg të përjetshëm, drejtësia do presë akoma derisa çështja të shkojë të apel dhe vendimi të marrë formë të prerë

Top Channel