Berisha paralajmëron protesta për zgjedhjet: Është radha e shqiptarëve të ndershëm t’i dalin për zot votës së lirë

14/06/2025 13:33

Kryedemokrati Sali Berisha ka denoncuar këtë të shtunë raste të tjera që sipas tij faktojnë farsën elektorale të 11 majit.

Ai ka publikuar video ku tregohen shkelje në qendrat e votimit.

Berishës shprehet se “vota vdiq pa rënë në kutinë e votimit”, ndërsa përmend pensionet, faljen e gjobave apo aktivitetin e Giro d’Italia të organizuar ditën e zgjedhjeve.

“E vërteta është për çdo shqiptar se vota e qytetarëve shqiptarë vdiq, në sensin si votë e lirë, pa rënë në kuti. Votën e vdiqën pa rënë në kuti përdorimi i 76 milionë eurove si dhuratë për votë 100 euro për çdo pensionist, në tërësi 48 përqind e votuesve apo 760 mijë pensionistë.

Votën e qytetarëve shqiptarë e vdiqën pa rënë në kuti 4500 aktivitete të organizuara në periudhën e ndaluar nga ligji, përfshi edhe ditën e votimit me të famshmen Giro D’Italia, 7 milionë euro një organizate private.

Votën e lirë të shqiptarëve e vdiqën pa rënë në kuti, falja dy ditë para zgjedhjeve e 200 milionë eurove.
Votën e lirë të qytetarëve shqiptarë e vdiqën pa rënë në kuti 29 mijë hektarë kanabis për mbjelljen e 100 mijë rrënjë kanabis në gjithë Shqipërinë për vota.

Votën e qytetarëve shqiptarë e vdiqën pa rënë kuti dhjetëra mijëra leje ndërtimi, leje legalizimi dhe certifikata pronësie, të dhëna të gjitha për të rrëmbyer votën.

Votën e shqiptarëve e vdiqën gjysmë miliardi prokurime publike dhe koncesione, që të gjitha në funksion të blerjes së votës.

Votën e qytetarëve shqiptarë e vdiqën dhjetëra mijëra punësime për votë gjatë fushatës elektorale, krim i shëmtuar ky ndaj votës dhe shtetit.

Votën e vdiqën pa rënë në kuti dhjetëra mijëra punonjës të administratës, të cilët në shkelje flagrante të ligjit u shndërruan në polici politike për qytetarët shqiptarë dhe kontrollin e vullnetit të tyre”, tha Berisha.

Më pas Berisha paralajmëroi protesta, ku theksoi se është radha e shqiptarëve të ndershëm që t’i dalin për zot votës së lirë.

“ Pra, siç e shihni, kreu i organizatës kriminale Edi Rama, kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, nuk u mjaftua me të gjitha aktet antikushtetuese që ndërmori para ditës së votimit, por edhe ditën e votimit ai organizoi një farsë të turpshme, fiktive, kriminale.

Të gjitha këto dëshmojnë se është radha e shqiptarëve t’i dalin zot me çdo kusht dhe çdo mjet lirisë së tyre dhe votës së lirë. Edi Rama përdori çdo gjë për dhunimin e kësaj vote.

Ai përdori prokurorinë e tij politike për burgosjen, persekutimin e liderëve të tre partive kryesore opozitare, vetëm e vetëm se e di se është i pashpresë dhe ligji do bjerë pa mëshirë mbi të, familjarët e tij dhe bandën e tij. E di këtë ai! Këtu ne do vazhdojmë në respekt të shqiptarëve idealistë, të shqiptarëve patriotë, të shqiptarëve të ndershëm që besojnë se e ardhmja duhet të përcaktohet nga qytetarët e lirë me vullnetin e tyre dhe se pa zgjedhje të lira, pa votën e lirë, të ardhme në Shqipëri nuk ka dhe nuk mund të ketë”, tha Berisha.

Top Channel