Zbuloi planin e Izraelit për sulm ndaj Iranit, ish-analisti i CIA-s dënohet me burg për publikimin e detajeve sekrete

12/06/2025 09:31

Një ish-analist i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), Asif William Rahman, është dënuar me 37 muaj burg për publikimin e dokumenteve të klasifikuara që lidhen me planet sekrete të Izraelit për një sulm ajror ndaj Iranit.

Sipas Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, 34-vjeçari u deklarua fajtor në janar për dy akuza për mbajtje dhe transmetim të qëllimshëm të informacionit të mbrojtjes kombëtare në shkelje të Aktit të Spiunazhit.

Hetuesit thanë se Rahman përdori autorizimin e tij të nivelit të lartë për të printuar, fotografuar dhe shpërndarë materiale sekrete, të cilat më pas u publikuan në rrjete sociale, përfshirë një llogari në Telegram të lidhur me interesat iraniane.

Dokumentet, të klasifikuara si “tepër sekrete”, përmbanin vlerësime të brendshme të SHBA-së për planet e Izraelit para sulmit ndaj Iranit në tetor 2024, si dhe informacione rreth lëvizjeve ushtarake dhe kapaciteteve bërthamore të Izraelit – një çështje që historikisht nuk është pranuar zyrtarisht nga autoritetet izraelite.

“Për muaj të tërë, ky i pandehur tradhtoi popullin amerikan dhe betimet që bëri ndaj sigurisë së vendit tonë,” deklaroi ndihmës prokurori i përgjithshëm për sigurinë kombëtare, John Eisenberg.

Dokumentet e publikuara qarkulluan në mënyrë të shpejtë brenda rrjeteve të inteligjencës, përfshirë aleancën e njohur si ‘Five Eyes’ (SHBA, Britani, Kanada, Australi dhe Zelanda e Re), duke shkaktuar alarm për dëm të mundshëm të interesave strategjike amerikane dhe aleateve të saj.

Rahman punonte jashtë Shteteve të Bashkuara dhe u arrestua nga FBI në Kamboxhia, përpara se të transportohej në territorin amerikan të Guamit për t’u përballur me drejtësinë.

Top Channel