
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se do të mbështesë të gjithë kandidatët që kërkojnë rinumërim të votave, por refuzoi të komentonte gjetjet e deritanishme nga hapja e disa kutive, ku rezulton se disa kandidatë kanë marrë votat e disa kandidatëve të tjerë brenda listës së opozitës.
Në një konferencë për shtyp, ai tha se kandidatët do të mbështeten në kërkesën e tyre për transparencë, por kjo nuk do të thotë se partia ndan bindjen se ka dyshime për vjedhje votash.
“Ajo që zhvillohet në KQZ duhet ta kenë të qartë të gjithë shqiptarët se qëndrimi i parë i PD-ASHM është ky: nuk pranojmë legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve. Ne kemi paditur ccdo qark për legjitimitetin e zgjedhjeve. Kemi dokumente të pafundme”, tha Berisha.
Sipas tij “transparenca është e drejtë e pakundërshtueshme e ccdo individi. Në këtë kuadër PD nuk pengon asnjë kandidat të saj që kërkon transparencën. Madje do t’i mbështesë meqenëse ligji nuk i përligj kandidatët dhe duhet mbështetja e partisë në këtë proces, secili kërkon që transparencën do të mbështetet pa asnjë paragjykim. Mendoj se as unë as ju nuk mund të flasim për vjedhje për gjëra të paprovuara. Ata që dyshojnë se u janë devijuar votat, ata i mbështesim për transparencë. Por kjo nuk vjen se partia ndan dyshimin e tyre, por vjen sepse partia plotëson të drejtën për transparencë”.
Rinumërimi i disa kutive deri tani ka zbuluar se Xhemal Gjunkshit në Dibër i mungonin 17 vota, ndërkohë që Përparim Spahiut i ishin shtuar 49 vota.
Ndërkohë pretendime për trafikim votash kanë edhe Aulon Kalaja në Durrës dhe Ilir Alimehmeti në Tiranë.
Top Channel