
Sulmi tronditës në një shkollë të mesme në Graz të Austrisë shokoi opinionin publik në mbarë Europën.
Sipas televizionit publik atje, ORF ka pasur katër incidente me armë zjarri në shkollat austriake që nga viti 1993. Por deri më tani, asnjë prej tyre nuk kishte shënuar më shumë se një viktimë – pa llogaritur autorin e krimit.
Incidente të ngjashme kanë ndodhur në pjesë të tjera të Europës në dekadat e fundit – që ka çuar edhe në ndryshime në legjislacion. Kur një person i armatosur vrau 16 fëmijë të moshës midis pesë dhe gjashtë vjeç në qytetin skocez të Dunblane në vitin 1996, qeveria britanike ndaloi shpejt pronësinë private të armëve.
Pas të shtënave masive në vitet 2000, Gjermania rriti kufirin e moshës për pronësinë e armëve dhe futi kontrolle të kohëpaskohshme për të siguruar që pronarët e armëve zbatonin ligjet për armët. Në vitin 2002, studenti 19-vjeçar i përjashtuar Robert Steinhauser hapi zjarr në një shkollë në Erfurt, duke vrarë 12 mësues, dy studentë, një sekretare dhe një police përpara se të kryente vetëvrasje.
Në Serbi, një djalë 13-vjeçar vrau tetë shokë klase dhe një roje në shkollën fillore Vladislav Ribnikar më 3 maj 2023. I dyshuari u arrestua pak më vonë. Në dhjetor të të njëjtit vit, një student 24-vjeçar vrau 14 persona në një universitet në Pragë duke përdorur një armë që e zotëronte ligjërisht.
Pavarësisht këtyre episodeve, masakrat në shkolla dhe institucione arsimore në Europë janë ende të rralla krahasuar me Shtetet e Bashkuara, kujton DW.
Edhe pse nuk ka të dhëna të drejtpërdrejta krahasuese posaçërisht për shkollat, hulumtimi nga Instituti Rockefeller për Administratën Publike tregon se Shtetet e Bashkuara kanë vuajtur ndjeshëm më shumë nga “të shtëna masive publike” sesa vendet me nivele të ngjashme të zhvillimit ekonomik.
Incidente të tilla, sipas institutit me seli në Nju Jork, përfshijnë “të paktën disa viktima”, duke përjashtuar rastet e dhunës shtetërore ose terrorizmit të organizuar.
Top Channel