“Nuk mund ta bindësh Rusinë për paqe”, Zelensky: Sanksionet i ndërpresin Moskës financimin e luftës

12/06/2025 13:02

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky foli në konferencën Globsec në Pragë, ku paralajmëroi se shoqëria evropiane dhe SHBA-të duhet të kuptojnë se lufta e Vladimir Putinit po synon NATO-n dhe “botën e civilizuar” dhe se Ukraina është “vetëm vija e parë” e sulmit.

“Çdo vijë është e rëndësishme, por më e rëndësishmja është e para, sepse nëse dështon, gjithçka do të dështojë”, tha ai.

Ai argumentoi se mbështetja e Ukrainës “do të thotë siguri për Evropën sot”.

“NATO është një aleat i besueshëm, por fakti që Ukraina qëndron atje dhe nuk lejon që lufta të përhapet më tej është ekuivalent me garanci të forta sigurie për të gjithë Evropën, dhe kjo është arsyeja pse Ukraina duhet të forcohet”, tha Zelensky.

Ai gjithashtu falënderoi vendin pritës të Globsec, Republikën Çeke, për mbështetjen e tij në furnizimin me municione.

Megjithatë, duke parë drejt së ardhmes, ai bëri thirrje për më shumë sanksione ndaj Rusisë për të parandaluar financimin e planeve të saj, dhe tha se “nuk mund ta bindësh Rusinë të bëjë paqe”.

“Rusia nuk është vërtet e interesuar për humbje të tilla njerëzore. Ajo që e shqetëson janë sanksionet e ashpra, veçanërisht ato kundër naftës ruse, përfshirë një tavan të ri çmimesh. Kjo është ajo që e kërcënon vërtet, sepse mund të ndërpresë financimin e luftës”, tha ai.

Zelensky kritikoi gjithashtu presidentin rus, Vladimir Putin për “gatishmërinë e tij për të përmbushur fantazitë e tij të sëmura gjeopolitike” me jetën e më shumë se një milion rusëve që janë vrarë deri më tani në luftë.

“Një milion viktima, dhe ata ende po bëjnë gjithçka që munden për të shmangur përfundimin e kësaj lufte. Ata madje injoruan SHBA-në dhe residentin Trump”, u shpreh Zelensky.

Ai shtoi se qasja e Rusisë ndaj konfliktit është veçanërisht shqetësuese, pasi “kur jeta nuk ka vlerë për ata që janë përgjegjës, atëherë asnjë krim nuk është i papranueshëm, madje as agresioni i hapur”.

Top Channel