
Mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak të Durrësit u shoqërua nga diskutime mbi rindërtimin, transportin publik dhe planifikimin e plazheve për sezonin veror.
Me shumicë votash, u miratuan ndryshimet në listat e përfituesve nga programi i rindërtimit për disa pallate dhe banesa individuale. Opozita kundërshtoi, duke kërkuar më shumë transparencë dhe akuzoi bashkinë për përjashtime të padrejta në disa raste.
Një tjetër pikë që ngjalli reagime ishte subvencionimi i transportit publik. Dy operatorë të këtij shërbimi do të mbështeten me rreth 4 milion lekë nga bashkia për të mbuluar kostot dhe për të ruajtur çmimin e biletës në nivelin 40 lekë, me synim lehtësimin e barrës për qytetarët.
Po ashtu, harta e re për ndarjen e plazheve ngjalli debat. Këtë vit, vendimi i qeverisë i përjashton baret dhe restorantet nga marrja e lejeve për stacion plazhi, duke favorizuar hotelet, por sipas këshilltarëve të opozitës, kjo mund të nxisë abuzime dhe të ulë ndjeshëm të ardhurat e bashkisë.
Nënkryetari i bashkisë, Renis Mullaj, tha se ende nuk ka të dhëna përfundimtare mbi hotelet që do të ofrojnë shërbim në stacionet private të plazhit dhe theksoi se efektet ekonomike të këtyre ndryshimeve do të vlerësohen pas përfundimit të sezonit.
Megjithëse të gjitha vendimet u miratuan me shumicë votash, debatet për transparencën dhe administrimin e brezit ranor në plazhe pritet të vijojnë edhe në muajt e ardhshëm.
Top Channel