Britania arrin ujdi me BE-në për statusin e Gjibraltarit!

12/06/2025 13:26

Pas pesë vjetësh negociatash, kur Britania u largua nga Bashkimi Evropian, Londra ka arritur një marrëveshje me Brukselin për çështjen e qeverisjes dhe kontrollit kufitar në territorin e saj zyrtar në Gjibraltar.

Sipas qeverisë britanike, marrëveshja do të shmangë nevojën e kontrolleve për njerëzit dhe mallrat që kalojnë përmes kufirit Gjibraltar-Spanjë.

Gjibraltari, me një sipërfaqe prej 2.6 milje katrore, ndodhet në pjesën më jugore të Spanjës, të cilin e kanë marrë britanikët në fillim të shekullit të 18-të, më saktë në vitin 1713.

Ky territor është një nyje shumë e rëndësishme strategjike e kontrollit dhe trafikut detar nga Atlantiku në Mesdhe, në pikën më të afërt të Evropës me Afrikën, që më pas del përmes kanalit të Suezit në Oqeanin Indian.

Për udhëtarët që mbërrijnë në aeroportin e Gjibraltarit, kontrolli i pasaportave do të kryhet nga zyrtarë të Gjibraltarit dhe ata spanjollë. Zyrtarët spanjollë të kufirit do jenë në gjendje t’u mohojnë hyrjen, ashtu siç do të jetë e mundshme që të ardhurit nga Britania të vazhdojnë udhëtimin e tyre drejt Spanjës dhe zonës së lirë të udhëtimit në BE, pa kontrolle të mëtejshme.

Ky është një sistem i ngjashëm që funksionon momentalisht për pasagjerët e trenave të Eurostar-it në stacionin St. Pancras në qendër të Londrës, të ardhur nga Parisi apo Brukseli, ku udhëtarët kalojnë si nga kontrolli i britanikëve, ashtu edhe i francezëve, përpara se të hipin në trenat ndërkombëtarë.

Llogaritet se 15 mijë veta kalojnë çdo ditë kufirin mes Gjibraltarit britanik dhe Spanjës për punë apo për turizëm. Aktualisht, banorët e Gjibraltarit mund të kalojnë kufirin duke përdorur kartat e banimit, pa qenë nevoja t’u stampohet pasaporta, ndërsa qytetarët spanjollë mund të kalojnë kufirin duke përdorur letërnjoftimet qeveritare.

Ndërkohë, do të ketë një autonomi të plotë për instalimet ushtarake britanike në Gjibraltar, ku aeroporti administrohet nga Ministria britanike në Londër, ku ndodhet edhe baza e aviacionit ushtarak britanik.

Në referendumin e fundit në 2002-shin, thuajse 99 për qind e votuesve hodhën poshtë propozimin që të kishin sovranitet të përbashkët me Spanjën, dhe shumica e banorëve të Gjibraltarit janë britanikë.

Top Channel