Një prej emrave më të njohur të botës së krimit në Elbasan, Dashnor Dumani, është arrestuar në Dubai dhe pritet të ekstradohet në Shqipëri gjatë pasdites së kësaj të mërkure.

Dumani, vëllai i Nuredin Dumanit, i penduari i drejtësisë në disa dosje të bujshme kriminale – rezulton i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe i akuzuar nga Gjykata e Posaçme për vrasje dhe vjedhje me armë.

Emri i tij lidhet drejtpërdrejt me Masakrën e Bradasheshit në vitin 2018, ku mbetën të vrarë Endrit Alibej, xhaxhai i tij Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk. Vrasje për të cilën gjykata ka administruar dëshmi të imtësishme nga dy të penduarit e drejtësisë Nuredin Dumani dhe Erion Alibej.

Policia e Shtetit konfirmoi se falë bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe, janë përmbyllur të gjitha procedurat për ekstradimin e tij, dhe se pritet që Dumani të mbërrijë në Rinas brenda ditës së sotme.

Paralelisht, është arritur marrëveshje për ekstradimin edhe të një tjetër personazhi të botës së krimit nga Elbasani. Armis Stafa, 36 vjeç, u arrestua më 27 maj në Dubai dhe është i përfshirë në dosjen hetimore “Plumbi i Artë 2”. Ai akuzohet për pastrim parash për llogari të grupit kriminal të njohur si “Çopjat”, përmes aktivitetit të tregtisë së automjeteve.

Ekstradimi i këtyre dy personave është sinjal i qartë se tashmë Emiratet e bashkuara nuk janë më një strehë të sigurt, për personat që kërkohen nga drejtësia.

Top Channel