Reshje të dendura dëbore dhe shira të rrëmbyeshëm përfshijnë Afrikën e Jugut, të paktën 9 të vdekur

11/06/2025 16:39

Vazhdojnë kërkimet për fëmijët e zhdukur pasi autobusi shkollor në të cilin udhëtonin u përmbyt nga furia e reshjeve.

Numri i të vdekurve nga përmbytjet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në Afrikën e Jugut lindore u rrit në nëntë të martën, ndërsa ekipet e shpëtimit kërkojnë fëmijët e zhdukur pasi autobusi i tyre shkollor u rrëmbye nga ujërat e përmbytjes, thanë autoritetet.

Reshje të dendura dëbore dhe stuhi të forta kanë goditur pjesë të provincës së Kepit Lindor, ndërsa Afrika e Jugut në tërësi po përballet me mot ekstrem dimëror që nga java e kaluar.

Në rajonin Or Tambo, 9 persona kanë vdekur për shkak të shirave të rrëmbyeshëm, sipas një raporti të ri të publikuar nga autoritetet lokale sot, ndërsa një raport i mëparshëm thoshte për 7 të vdekur.

Në të njëjtën kohë, zëdhënësja e Autoriteteve Provinciale, Huselua Radye, i tha AFP-së se nuk e dinte sa fëmijë ose të rritur ishin në autobusin e shkollës. Mediat lokale raportojnë se të paktën 10 fëmijë janë të zhdukur.

Në të njëjtën kohë, tre fëmijë u shpëtuan pasi kaluan shumë orë duke u ngjitur në pemë për t’i shpëtuar nivelit në rritje të ujit pranë Mthatha, gjithashtu në Kepin Lindor, një nga zonat më të goditura të vendit.

Për më tepër, që nga e hëna, disa qindra njerëz janë zhvendosur, sipas të njëjtit burim, veçanërisht në zonat Or Tambo dhe Amatole. Disa kanë gjetur strehim të përkohshëm në shkolla dhe bashki.

Autoritetet lokale, me mbështetjen e disa agjencive qeveritare, po ofrojnë ushqime të ngrohta dhe furnizime bazë për ata që janë strehuar në strehimore të përkohshme, shpjeguan ata.

“Shirat e pandërprera” kanë shkaktuar gjithashtu rrëshqitje toke dhe “dëme të konsiderueshme në prona dhe infrastrukturë”, shtuan ata.

Shërbimi Meteorologjik i Afrikës së Jugut ka parashikuar se kushtet ekstreme të motit dimëror do të vazhdojnë të paktën deri në mesin e javës.

Top Channel