
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi një tjetër video, që sipas tij, dëshmon atë që ai e quan farsë elektorale, ku aleanca e udhëhequr prej tij humbi me mbi 300 mijë vota diferencë ndaj Partisë Socialiste.
\Videoja e publikuar në konferencën e kësaj të mërkure, sipas Berishës, tregon se pensionistëve iu morën kartat e identitetit, që të mos votonin.
“Këto janë karta identitetit të hedhur përtokë në Petrelë ditën e votimeve. Këto janë me fotografi, janë me numër, janë me të gjithë elementët e një karte identiteti. Këta persona janë përjashtuar nga votimi ose me kartat e tyre kanë votuar të tjerët”, u shpreh kreu i PD, Sali Berisha.
Sulmeve për 11 Majin, Berisha iu shtoi sot një akuzë të re ndaj Edi Ramës, për të cilin tha se po iu bën presion vëzhguesve ndërkombëtarë.
“Ne e kemi kapur në flagrancë Edi Ramën me krime monstruoze elektorale dhe bandën e tij që udhëheq. Ai po bën presione të jashtëzakonshme, janë kërcënuar vëzhguesit ndërkombëtarë këtu, që nuk di të ketë ndodhur në ndonjë vend tjetër”, shton më tej kryedemokrati.
Sali Berisha tentoi sërish të mbulojë pakënaqësitë mes kandidatëve të tij për votat, duke thënë se të gjitha strukturat e Partisë Demokratike janë angazhuar në verifikimin, sipas tij, të farsës elektorale të Ramës. Ndërkohë, Berisha dënoi dhe zgjatjen e afateve të hetimit për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duke e cilësuar vendimin në shkelje të ligjit.
Top Channel