
Nga Agron Gjekmarkaj
Ndarja me Mamicën qe e përmallshme!
Kudo kishte gugatje e shfrime lotësh! Para ikjes së saj për të vendosur paqen mes Ukrainës dhe Rusisë, u poqëm në mbledhje kryetarësh!
Kur Gaz Bardhi, i cili shquhet për ndjeshmërinë e tij të thellë, ndali ngashërimin, e mora fjalën edhe unë me shumë vuajtje!
Jorushi i Tabakëve, me një dorë në zemër e tjetrën me kompresa, rrinte hazër për të ndalur dalldinë! Ajo nuk i duron dot tragjeditë!
Frymëmarrja mu ngadalësua, një qetësi varri pllakosi! Piva pak ujë e njoma fytin e tharë!
Ngadalë, si një mekanizëm i ndryshkur, fjalët bënin krrak krrak! Ashtu, më në fund kapa ritmin! Ju drejtova:
“Zonja Kryetare, në djall parlamenti ynë që mbyllet, ti po bën një akt sublim duke udhëtuar drejt Ukrainës në kohë qameti, duke sakrifikuar në vend të Babos, e gatshme për të rënë shahid për të, nëse ndonjë dron të kap në emrin e tij. E dyta, mendo sa do mërziten motrani dhe shoqeni, që nuk e duan fare karrigen tënde, as u hyn në sy përballë sigurisë e shëndetit tënd! Ata i luten Zotit qe ti të kthehesh me fitore! Tani, meqenëse po shkon, bëji bashkë Putinin e Zelenskin, rriju rëndë qafirave , qortoji, nëse është e nevojshme futu edhe nga një laper pas koke, duke i bërë që të firmosin paqen se trazuan dynjanë! Merre atë letër në dorë dhe kthehu – sa do gëzohet Bora! Të tjerët më shumë!
Mimi di Puccini, me një shikim të hijeshuar dhe tundje të lehta koke, shprehte solidaritetin e saj!
Bledi Çuçi admironte Mamicen që kaq afër i afrohej rrezikut në emër të Babos! Deri më sot, askush nga mazhoranca s’e ka pasur këtë shans të vërë jetën në diskutim – dhe ky fakt është shenjë e lartë përzgjedhjeje!
Dilo Nasufi pyeste veten: “Po unë ç’të bëj, të dal në Roshnik e të hidhem për të dëftyer që nuk më dhimbset jeta?”
Nasipi ia dëgjoi zërin e brendshëm e këshilloi që të mos e bënte vullnetarisht, por vetëm nëse i kërkohej – kur të tjerët shfaqin frikë! Fatmir Xhafa e puthi në ballë si dikur partizanet duke i kënduar “ si të lashë e më s’të pashë moj e bukura Mamicë” ! Kohët e mëdha arbërore po përsëriteshin!
Në fund u falëm dhe u profolitem si ata që historinë e shohin me ata që e bëjnë atë!
Mamica, te pragu, na mbante me gajret teksa ne thyheshim e jepeshim nga dhimbja! Zheni Bebi Gjergjit desh i ra të fikët!
Në korridor, Kosta i Gramozit, Linditës, që deri dje ishte 35% i Mamicës, ndihej tashmë 100% i saj! Si pasardhës i Akilit dhe Hektorit, jepte urdhra beteje:
“Shpejt, shpejt! Porosisni 12 helmeta, po aq jelekë antiplumb, kallashë, bumje, autoblinda”
Morëm vesh që një aeroplan i Natos do t’i çonte deri në Moldavi!
Atje, Kostaqi – që ishte betuar se jetën e jep, por Mamicën s’e lë – kishte refuzuar kërkesën e forcave të sigurisë ukrainase për t’i futur nëpër baule dhe sipër t’i mbulonin me bar të thatë!
Pasi kishte pajisur Mamicën me armët e duhura dhe e kishte siguruar në një autoblindë, vetë, me helmetë në kokë dhe gjoksin zbërthyer, i kishte prirë autokolonës me mitraloz në dorë, duke e bërë rrugën zjarr e flakë deri në Odesë! Atje populli i drobitur nga lufta priti heronjtë si shembull frymëzimi! Pale kur të flasë Mamica buçima e topave do duket pesë me hiç! Tani lutemi që të kthehen shendoshë e mirë me paqe të bërë dhe Zot sillna Mamicen siç jua dhamë!
Agron Gjekmarkaj
Top Channel