EMRI/ Humb jetën një turist gjerman në Parkun Kombëtar të Butrintit, dyshohet se pësoi atak kardiak

11/06/2025 14:29

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot paradite në Parkun Kombëtar të Butrintit, ku një turist gjerman 75-vjeçar ka humbur jetën gjatë një vizite me një grup të organizuar.

Sipas informacioneve paraprake, shtetasi gjerman i identifikuar si Klaus Geyer, ka shfaqur papritur shqetësime shëndetësore gjatë vizitës në zonën arkeologjike. Është njoftuar ambulanca e Sarandës, e cila ka mbërritur në vendngjarje dhe ka transportuar të moshuarin drejt spitalit rajonal.

Fatkeqësisht, gjatë rrugës për në spital, gjendja e tij është përkeqësuar dhe ai ka ndërruar jetë. Burime nga personeli mjekësor flasin për një atak kardiak, që mund të jetë shkaktuar edhe nga temperaturat e larta të ditës.

Trupi i pajetë i shtetasit gjerman ndodhet në morgun e spitalit të Sarandës dhe pritet të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë për autopsi, në funksion të përcaktimit të shkakut të saktë të vdekjes.

Autoritetet po ndjekin procedurat përkatëse dhe janë në kontakt me ambasadën gjermane për njoftimin e familjarëve.

 

 

Top Channel