Ambasada e Argjentinës në Izrael zhvendoset në Jerusalem

11/06/2025 22:23

Presidenti i Argjentinës, Javier Milley njoftoi sot në një fjalim para Knessetit, parlamentit izraelit, se ambasada e vendit të tij në Izrael do të zhvendoset në Jerusalem në vitin 2026.

“Jam krenar të njoftoj para jush se në vitin 2026 do të ndodhë transferimi i ambasadës sonë në qytetin e Jerusalemit Perëndimor”, tha ai, duke iu drejtuar parlamentit, ku ishte ftuar të mbante një fjalim me rastin e vizitës së tij të dytë zyrtare në Jerusalem. Ambasada argjentinase aktualisht ndodhet pranë Tel Avivit.

Vetëm Shtetet e Bashkuara, Paraguai, Guatemala, Hondurasi, Kosova dhe Papua Guinea e Re kanë ambasada në Jerusalem.

Statusi i Jerusalemit është një nga çështjet më të diskutueshme në konfliktin izraelito-palestinez. Izraeli pushtoi Jerusalemin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967 dhe më pas e aneksoi atë, një veprim që nuk u njoh kurrë nga bashkësia ndërkombëtare.

Shumica e ambasadave të huaja ndodhen në Tel Aviv, në mënyrë që të mos paragjykohet rezultati i negociatave midis izraelitëve dhe palestinezëve mbi statusin përfundimtar të qytetit.

Polemikat mbi statusin e Jerusalemit dhe praninë e ambasadave të huaja u rigjallëruan në dhjetor 2017 kur Presidenti Donald Trump, duke përmbysur dekada të konsensusit ndërkombëtar, e njohu Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, duke provokuar zemërimin e palestinezëve dhe mosmiratimin e bashkësisë ndërkombëtare.

Top Channel