
Zbulime të reja po dalin në dritë rreth zhdukjes së Madeleine McCann.
Hetuesit që po hetojnë rastin gjetën fragmente të vogla rrobash dhe kockash – në zonën pranë vendit ku vajza e vogël u zhduk – dhe i dërguan ato në Gjermani për ekzaminim.
Kërkimi në zonën pranë vendit ku u zhduk Madeleine, i cili përdorej rregullisht nga pedofili gjerman 38-vjeçar i dënuar Christian Brueckner, fillimisht dukej i pafrytshëm. Megjithatë, që atëherë është zbuluar se janë gjetur fragmente të vogla rrobash dhe kockash, të cilat mund të ndihmojnë në lidhjen e Brueckner – i dyshuari kryesor në këtë krim.
Një burim i tha Berlin Morning Post: “Me sa duket janë zbuluar disa objekte, të cilat tani po shqyrtohen në detaje nga policia në laborator. Siç raportohet nga mediat, ndër të tjera, u gjetën fragmente rrobash dhe kockash. Hetuesit nuk kanë komentuar zyrtarisht nëse gjetjet mund të kenë ndonjë lidhje me zhdukjen e Madeleine, por ata janë shpresëplotë.”
Mostrat që po ekzaminohen tani në Gjermani japin shpresë se do të ketë një zhvillim të rëndësishëm në rastin që ka shqetësuar autoritetet që nga viti 2007, kur trevjeçarja u zhduk nga Praia da Luz, Portugali, ndërsa prindërit e saj po hanin në një restorant aty pranë.
Brueckner po i afrohet fundit të dënimit të tij me burg, pasi u dënua në vitin 2020 për përdhunimin e një turisteje të moshuar amerikane në vitin 2005 në vendpushimin ku Madeleine u pa për herë të fundit. Ai ka qenë i dyshuar në rastin e zhdukjes që nga viti 2020, megjithëse nuk është akuzuar zyrtarisht dhe mohon çdo përfshirje.
Top Channel