Ushtria izraelite kryen operacion “anti-terrorist” në West Bank, 64 të lënduar për shkak të gazit lotsjellës

10/06/2025 19:18

Dhjetëra palestinezë u plagosën në një operacion ushtarak të nisur herët këtë mëngjes nga ushtria izraelite rreth qytetit të vjetër të Nablusit, në veri të West Bank.

Menjëherë pas mesnatës, dhjetëra automjete ushtarake hynë në qytetin e madh palestinez, sipas një korrespondent të AFP-së dhe një shtetrrethim u njoftua me altoparlantë në Nablus.

Qyteti ndodhet në pjesën veriore të West Bank, territor nën pushtimin izraelit që nga viti 1967, i cili ka qenë në qendër, që nga 21 janari, të operacionit të koduar “Muri i Hekurt”, të cilin ushtria izraelite e paraqet si një operacion kundër organizatave të armatosura palestineze.

Në deklaratën e lëshuar këtë pasdite, ushtria izraelite tha se gjatë operacionit “anti-terrorist” gjatë të cilit u kontrolluan më shumë se 250 ndërtesa, u arrestuan gjashtë persona dhe u sekuestruan disa armë.

Operacionet janë përqendruar në qytetin e vjetër të Nabulsit, një zonë me popullsi të dendur pranë një sheshi të madh në qendër të qytetit, ku të rinjtë dhe fëmijët dogjën goma dhe hodhën gurë drejt automjeteve të blinduara të ushtrisë.

Ushtarët u përgjigjën duke hedhur gaz lotsjellës nga brenda automjeteve. Dy gazetarë të AFP panë dy burra që u qëlluan dhe ushtria mori të paktën një nga trupat.

Ushtria tha gjithashtu se ushtarët “neutralizuan dy terroristë” të cilët u përpoqën sipas tyre, të vidhnin një armë, duke rezultuar në lëndime të ushtarëve.

Kryqi i Kuq Palestinez tha se të paktën 64 persona u trajtuan për lëndime, shumica e tyre nga thithja e gazit lotsjellës.

Top Channel