Telefonata Trump-Netanyahu, presidenti: Ishte një bisedë shumë e mirë, diskutuam disa çështje

10/06/2025 07:05

Presidenti amerikan, Donald Trump tha se pati një telefonatë “shumë të mirë” me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahun.

Sipas informimit të dhënë nga vetë presidenti amerikan, të dy udhëheqësit diskutuan një sërë çështjesh, duke përfshirë negociatat bërthamore që po zhvillohen me Iranin. Trump zbuloi se SHBA-të kanë një takim me Iranin të enjten, pa specifikuar nëse ky është një raund tjetër negociatash bërthamore.

“Ne po përpiqemi të arrijmë një marrëveshje me Iranin në mënyrë që të mos ketë shkatërrime dhe vdekje”, tha Trump, duke shtuar se iranianët janë “negociatorë të vështirë”.

I pyetur për pengesën kryesore për arritjen e një marrëveshjeje, Trump u tha gazetarëve në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë se ata po kërkojnë gjëra që nuk mund t’i bësh.

Ai tha gjithashtu se Irani nuk dëshiron të heqë dorë nga aftësia e tij për të pasuruar uranium, diçka që Trump thotë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta lejojnë, edhe pse propozimi i Uashingtonit për një marrëveshje bërthamore thuhet se i lejon Teheranit të pasurojë uranium në nivele të ulëta në tokën e tij për një periudhë të përkohshme.

“Ata na i kanë bërë të ditura pikëpamjet e tyre mbi marrëveshjen dhe unë u kam thënë atyre se ato janë thjesht të papranueshme”, shtoi ai, pa specifikuar nëse Irani ka paraqitur përgjigjen e tij ndaj propozimit të SHBA-së për një marrëveshje bërthamore.

I pyetur në lidhje me negociatat ende të bllokuara mbi pengjet midis Izraelit dhe Hamasit, Trump tha se ato ishin duke vazhduar dhe se Irani është me të vërtetë i përfshirë, pa specifikuar se çfarë donte të thoshte, pasi Irani nuk ka qenë i përfshirë në bisedimet e armëpushimit në Gaza deri më sot.

“Do të shohim se çfarë do të ndodhë me Gazën. Duam t’i kthejmë pengjet”, shtoi Trump.

Top Channel