“Nga Shqipëria, të marrë çmimin futbollisti më i mirë i vitit”, Rama tregon diskutimet për organizimin e Globe Soccer Awards në vendin tonë

10/06/2025 08:43

Kryeministri Edi Rama tregoi diskutimet që po bëhen për organizimin e Globe Soccer Awards – Europe Edition në vendin tonë.

Kreu i qeverisë foli për mundësinë që ky eveniment të mbahet në kryeqytetin shqiptar.

“Jemi në një diskutim për të sjellë në Shqipëri edicionin europian Globe, është një eveniment i jashtëzakonshëm, i cili mbahet në mënyrë të përvitshme. Për edicionin europian, organizatorët janë në një diskutim me Madridin dhe me ne. Kemi shumë arsye të besojmë që zgjedhja do të jetë mbi ne. Do të ishte shumë mirë që çmimin futbollistit më të mirë të vitit, t’ia japim këtu në Tiranë”.

Duke folur për tej për sportin, Rama tregoi edhe planin për zgjerimin te Parku Olimpik.

“Ka një masterplan zhvillimi, kemi qendrën sportive të lojërave me dorë, sallën Fetih Borova dhe aty ku është kompleksi i pishinave, do të kemi një shtrirje të mëtejshme të planit, me rikualifikimin e pishinave dhe me shtimin e elementëve të tjerë”.

Po ashtu, foli për projektin që synon të ndërtojë dy komplekse sportive në Fier dhe Vlorë.

“Dua të luaj, dy komplekse të mëdha për të cilat do të nisë puna së shpejti në Fier dhe në Vlorë. Do të rrisim hapësirat për fëmijët, për të rinjtë për të zhvilluar aktivitet fizike dhe për t’u socializuar”, tha Rama.

Top Channel