“Kod i ri veshjeje” në Siri, gratë nxiten të veshin rroba “të gjera modeste” dhe burkini në plazhe

10/06/2025 17:53

Autoritetet e reja islamike të Sirisë u kërkuan të hënën grave të veshin burkini ose rroba që mbulojnë të gjithë trupin në plazhet publike, por masa përjashton komplekset private hoteliere luksoze.

Vendimi i ministrisë së turizmit erdhi gjashtë muaj pasi koalicioni islamist rrëzoi regjimin e Bashar al-Assad. Duke përmendur “interesin e përbashkët”, ministria u bën thirrje pushuesve të veshin rroba “më modeste” në plazhe. Gratë në veçanti duhet të veshin burkini ose lloje të tjera rrobash banje që mbulojnë trupin. Jashtë zonave bregdetare, ato duhet të veshin rroba “të gjera”, ndërsa burrave u ndalohet të dalin me gjoks të zhveshur.

Në Siri, një vend me moral konservator, pak gra vishnin rroba banje në plazhe.

Kufizimet nuk vlejnë për komplekset private hoteliere ku lejohen “rrobat e banjës në stilin perëndimor”. Hotelet e tjera duhet t’u përmbahen udhëzimeve të reja.

Përveç kësaj, ministria tha se në vendet publike gratë duhet të veshin rroba të gjera, që mbulojnë shpatullat dhe gjunjët dhe të shmangin “veshjet transparente ose shumë të ngushta”.

Nuk u specifikuan sanksionet – dhe çfarë lloji dënimi do të vendosej nëse shkeleshin rregulloret e reja.

Në platformat e mediave sociale, përdoruesit u ndanë kur u njoftuan masat, me disa që i mbështetën ato dhe të tjerë që i shihnin liritë e tyre si të kufizuara. “Siria është një vend i moderuar dhe i hapur dhe duhet të pranojë të gjithë pa përjashtim (…) ministria duhet ta rishqyrtojë vendimin”, komentoi një grua, Saza, në faqen e Facebook-ut të Ministrisë së Turizmit.

Në të kundërt, një burrë, Yahya Cabiso , shkroi: “Është e detyrueshme të respektohet kultura e shoqërisë siriane. Faleminderit, Ministria e Turizmit.”

Që kur islamistët morën pushtetin, shumë sirianë kanë frikë se liritë e tyre personale do të kufizohen. Në maj, një grua u vra nga persona të armatosur që sulmuan një klub nate. Në internet po qarkullojnë video në të cilat të rinjtë përsërisin slogane fetare ose bëjnë thirrje për mbylljen e bareve që shërbejnë alkool.

Top Channel