Himne, propagandë dhe riedukim! Kampi “Artek” në Krime, destinacion për fëmijët e rrëmbyer ukrainas

10/06/2025 08:08

Kampi legjendar sovjetik “Artek”, dikur simbol i edukimit komunist për fëmijët e BRSS-së, është rikthyer në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, këtë herë si pjesë e skemës së akuzuar nga Perëndimi për deportimin dhe riedukimin e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer gjatë pushtimit rus.

Sipas të dhënave të qeverisë së Ukrainës, mbi 19,500 të mitur janë marrë me forcë nga territoret e pushtuara që nga fillimi i luftës në vitin 2022.

Prej tyre, më shumë se 4,000 ndodhen në Artek, një kamp luksoz por i mbyllur në Krimenë e aneksuar, i cili tani funksionon si qendër riedukimi nën kontrollin e autoriteteve ruse.

Një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit përshkruan Artekun si një “kamp qeveritar” ku fëmijët i nënshtrohen “programeve të riedukimit patriotik” që shkelin të drejtat e tyre dhe të familjeve të tyre, në kundërshtim me konventat ndërkombëtare. Raportet për këto veprime janë cilësuar nga SHBA, BE dhe OKB si krime lufte, për të cilat Presidenti Vladimir Putin është shpallur person i kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.

I ndërtuar fillimisht në vitin 1925 për fëmijët e prekur nga tuberkulozi, Artek u transformua nga regjimi i Stalinit në një koloni edukimi ideologjik. Për dekada me radhë, kampi priste pionierë nga e gjithë bota komuniste. Sot, në një përpjekje për të ringjallur lavdinë sovjetike, ai përdoret nga Kremlini si simbol i “rilindjes ruse”.

Sipas një raporti të Bashkimit Evropian, fëmijët ukrainas në kamp nuk kanë të drejtë të kthehen, dhe shpesh detyrohen të marrin pjesë në rituale patriotike si ngritja e flamurit rus apo këndimi i himnit. Drejtori i kampit, Konstantin Fedorenko, është sanksionuar ndërkombëtarisht për rolin e tij në këtë proces, ashtu si edhe drejtoresha e “programit ukrainas”, Tatiana Makarova, e cila pretendon se qëllimi i tyre është “të eliminojnë traumën psikologjike të fëmijëve”.

Në vitin 2022, Rusia publikoi filmin propagandistik “Kthimi në Artek”, i cili lavdëron kampin si një vend ku “fëmijët mësojnë ta duan atdheun e tyre”. Një mesazh që përplaset fuqishëm me realitetin e sotëm të Artekut – jo më strehë për pionierë, por një simbol i errët i një politike agresive ndaj fëmijërisë.

Top Channel