Tragjike në Angli! Zjarri në një banesë i merr jetën vajzës 9-vjeçare dhe babait të saj, e motra në gjendje kritike

09/06/2025 12:46

Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin e West Yorkshire në Angli, ku një zjarr i fuqishëm në një banesë i ka marrë jetën një vajze 9-vjeçare dhe babait të saj.

Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën në mëngjes, rreth orës 06:00, kur policia u njoftua për flakët që përfshinë shtëpinë.

Dy vajzat e vogla të familjes, 9 dhe 11 vjeç, u dërguan menjëherë në spital. Fatkeqësisht, më e vogla nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë më vonë gjatë ditës. Ndërkohë, vajza tjetër 11-vjeçare ndodhet në gjendje kritike.

Edhe babai i tyre mori ndihmë mjekësore në vendngjarje, por nuk arriti të mbijetojë.

Policia e West Yorkshire ka konfirmuar se nuk ka prova që të tregojnë për ndonjë rrethanë të dyshimtë në lidhje me zjarrin. Inspektori detektiv Paul Greatorex deklaroi: “Ne po punojmë ngushtë me kolegët tanë në shërbimin e zjarrfikësve për të hetuar këtë incident tmerrësisht të trishtueshëm që ka rezultuar në humbjen e jetës së një babai dhe të bijës.”

Autoritetet kanë nisur hetime të zgjeruara dhe janë në kontakt me familjarët e viktimave, si brenda Mbretërisë së Bashkuar ashtu edhe jashtë saj, për t’u ofruar mbështetjen e nevojshme në këtë moment të vështirë.

“Ndërsa hetimet tona vazhdojnë, nuk besojmë se ka ndonjë element të dyshimtë rreth shkakut të zjarrit. Do të përgatisim një dosje për mjekun ligjor në kohën e duhur,” shtoi inspektori Greatorex.

Policia dhe shërbimi zjarrfikës mbeten në vendngjarje për të siguruar çdo provë të mundshme që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Top Channel