
Për të gjithë drejtuesit e automjeteve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor në tunelin e Llogarasë do të merren masa.
Nga qendra e monitorimit dhe operimit të tunelit të Llogarasë, Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u bëri apel shoferëve të jenë të kujdesshëm për të garantuar sigurinë rrugore.
“Është shumë e rëndësishme që të gjithë drejtuesit e automjeteve duhet të kuptojnë që janë të monitoruar kur kalojnë tunelin e Llogarasë. Dhe javën e kaluar ka pasur thyerje të kodit rrugor. Në tunele nuk ka parakalime dhe rregullat duhen zbatuar. Të gjithë ata që kanë shkelur limitin e shpejtësisë apo rregullat e sigurisë rrugore, duhet të dinë që do përballen me policinë rrugore e cila do të marrë masat e duhura. Nëse nuk ju kanë kaluar s’do të thotë që s’do ju vijë një gjobë apo një penalizmi i lejes së drejtimit”, tha Belinda Balluku, ministre e Energjetikës dhe Infrastrukturës.
Siguria në këtë tunel sipas zëvendës kryeministres garantohet edhe nga sistemi i kamerave cilësore.
“Drejtuesit duhet të jenë të kujdesshëm sepse ne jemi në dijeni të gjithçka që ndodh brenda tunelit dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm pasi tuneli i Llogarasë është një vepër arti dhe duhen respektuar në mënyrë rigoroze rregullat e kodit shqiptar”, shtoi më tej Balluku.
Të gjitha automjetet që kalojnë nëpërmjet këtij tuneli nuk do të paguajnë tarifë deri në datën 15 shtator.
Top Channel