Frikë për përplasje ushtarake mes NATO-s dhe Rusisë, ish-ministri i Jashtëm: Gjermania të rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, edhe për gratë!

09/06/2025 14:32

Mes frikës në rritje nga një përplasje ushtarake mes NATO-s e Rusisë, ish ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer ka dalë me një propozim befasues.

Ish kreu i famshëm i diplomacisë gjermane është shprehur në favor të kthimit në shërbimin e detyrueshëm ushtarak, e madje kërkon edhe angazhimin e grave në ushtri. Fischer tha për revistën “Der Spiegel” se numri i trupave të ushtrisë gjermane është i ulët. Ai shkoi edhe më tej, duke pohuar se do të ishte dhe vetë i gatshëm të luftonte, nëse do të ishte e nevojshme, për të mbrojtur lirinë e tij.

Kjo gjë, sipas ish-zëvendës kancelarit të Gjermanisë, vlen edhe për gratë: “Ose kemi barazi ose jo”, tha ai. Në një “mea culpa” publike, ai pranoi se, nga perspektiva e sotme, qëndrimi i tij i mëparshëm kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak kishte qenë gabim.

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius është shprehur më herët se një kthim në shërbimin e detyrueshëm ushtarak mund të jetë i mundur në kushte të caktuara. Deri tani, qeveria planifikon të prezantojë një model të bazuar fillimisht në angazhim vullnetar. Debati është intensifikuar nga vendimet e NATO-s mbi objektivat e reja të aftësive për shtetet anëtare.

Javën e kaluar, aleanca miratoi programin më të madh të riarmatimit që nga Lufta e Ftohtë. Për Gjermaninë, kjo do të thotë deri në 60.000 ushtarë shtesë.

 

 

Top Channel