Prej datës 6 qershor ka përfunduar afati për dorëzimin e kandidaturave për drejtimin e BKH, dhe siç mëson gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha disa nga pretendentët kanë zgjedhur postën për të shfaqur interes. 

Oficeri i karrierës në Polici Gentian Ndoi, i cili prej 25 vitesh në policinë shqiptare njihet për rekordet hetimore një ndër to drejtimi i OFL, ndërsa ka paraqitur interes minutat e fundit si pretendent.

Aktualisht Zoti Ndoi është pjesë e drejtorisë hetimore, departamenti i policisë kriminale në Policinë e Shtetit dhe siç pranohet nga Policia ai mban detyrën e drejtorit të Krimit ekonomiko Financiar.

Siç bëhet me dije pranë Spak zyrtari i policisë ka preferuar momentin e fundit për ta dorëzuar shprehjen e interesit për të drejtuar Byronë Kombëtare të Hetimit, mbasi Aida Hajnajt po i përfundon mandati.

Ndërsa dy nga konkurrentët janë pjesë aktuale e BKH, si Joni Keta zv. drejtor aktual i BKH i cili së fundmi është shfaqur krah prokurorëve të posaçëm në konferencat me partnerët ndërkombëtare në mbyllje të dy operacioneve dhe Elton Kërluku hetues i BKH në sektorin e krimit ekonomiko financiar.

Kërluku nga burime të afërta pranë tij e kishte shprehur edhe më herët dëshirën për drejtimin e BKH që e siguroi zonja Hajnaj, por ishte tërhequr në momentin e fundit.

Të tjerë hetues të BKH me detyrë aktuale pritet të jenë futur në garë, por emrat e tyre janë të pakonfirmuar. Një ndër ta Z. Mentor Cuku oficer pranë BKH dhe me një karrierë të gjate në organet e drejtësisë mohoi të ketë dorëzuar kandidaturën.

Një tjetër garues  është ish drejtori i përgjithshëm i policisë Gledis Nano, i cili ka pranuar për mediat se synon BKH.

Po ashtu në këtë listë është edhe emri i Marinela Pilincit, oficere e policisë gjyqësore në prokurorinë Korçë, me formim juriste.

Komisioni i përzgjedhjes së kandidatëve nuk ka dalë ende me një njoftim publik për të treguar se kush tjetër është në listën e pretendentëve qe synojnë të drejtojnë BKH.

Top Channel