
Nga emigrantë në Greqi, në ndërmarrës të suksesshëm në bujqësi. Kjo është historia e dy vëllezërve Genci dhe Karafil Agaçi nga fshati Suk i Roskovecit.
Ata sot janë ndër prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj të perimeve në këtë zonë. Të kthyer në Atdhe në vitin 2013, ata nisën jetën dhe punën nga e para me vetëm dy dynymë sera.
Me përkushtim dhe punë, ata zgjeruan çdo vit aktivitetin, duke e çuar sipërfaqen e kultivuar në mbi 40 hektarë tokë të mbjellë. Aktualisht janë në procesin e ngritjes së serave të reja në një sipërfaqe prej 50 dynymësh.
“Kemi 12 vite që merremi me këtë punë. Fillimisht ndërtuam një serë të vogël, ndërsa sot kemi mbi 30 dynymë sera funksionale dhe jemi duke ndërtuar të tjera. Eksportet tona kanë ardhur gjithnjë në rritje – vetëm në vitin 2024 kemi arritur të eksportojmë 870 kamionë me perime, ku domatja zë pjesën kryesore, por edhe trangulli, speci dhe së fundmi shalqiri”-shprehet sipërmarrësi.
Për të përballuar sasinë në rritje të prodhimit, ata ngritën edhe një pikë grumbullimi, e cila u shërben jo vetëm për prodhimet e tyre, por edhe për fermerë të tjerë të zonës.
Këtë vit, veçanërisht ka pasur zgjerim të sipërfaqeve të mbjella me bostan. Rreth 40 hektarë janë dedikuar vetëm për këtë kulturë. Një pjesë e prodhimit tregtohet në tregun vendas, ku kërkesa është e lartë, ndërsa pjesa tjetër shkon për eksport.
Gjatë vitit të kaluar, vëllezërit Agaçi kanë arritur të shesin afro 10 mijë ton prodhime bujqësore, dhe për vitin 2025, synimi është rritja e mëtejshme e rendimentit dhe zgjerimi i tregjeve të eksportit. Roskoveci, me një sipërfaqe prej mbi 162 hektarë sera diellore, mbetet një nga furnizuesit kryesorë të tregut vendas dhe atij të huaj me produkte të freskëta dhe cilësore. Vetëm për vitin 2024, janë shtuar edhe 3.2 hektarë të reja sera, duke reflektuar ritmin e rritjes së kësaj industrie në zonë.
Top Channel