
Nga Preç Zogaj
“Ja, u dorëhoq Berisha, po kush ta marrë”? Kjo është pyetja që dëgjohet shpesh mes demokratëve pas disfatës elektorale të PD-së në zgjedhjet e 11 majit, ku kjo parti me aleatët e saj e dhjetëfishoi diferencën me Partinë Socialiste. Nga rreth dy për qind para katër viteve në rreth njëzet për qind tani.
Kulti i liderit të pazëvendësueshëm është ngulitur thellë në bllokun berishist të PD-së. Ai që e ka investuar më shumë se askush këtë atavizëm stalinist-enverist ka qenë dhe është vetë Berisha, duke shfrytëzuar bartjet botëkuptimore të regjimit të mëparshëm në mendësinë e ndjekësve të tij.
Krejt e kundërta e asaj që do të kishte bërë e do të bënte në kushtet e daljes nga regjimi totalitar një lider i iluminuar. Ai do t’i ndriçonte ndjekësit dhe zgjedhësit me kulturën e re politike të demokracisë; do t’i lartësonte mendërisht e shpirtërisht, duke e sfiduar në rrafshin e botëkuptimit dhe botëndijimit të tyre shkollën e kollajshme enveriste të shpirtrave të këqinj;
Do të promovonte një sistem të ri vlerash e zakonesh ku individi që dyshon dhe mendon ndryshe për një çështje të caktuar nuk është armik, por vlerë. Sepse ky individ kërkues dhe jo turma që brohoret është bartës i së vërtetës dhe së drejtës. Sepse demokratët nuk e kërkojnë të vërtetën dhe të drejtën në termat e bolshevizmit, por të diskutimit, konsensusit maksimal të mundshëm dhe bashkimit në diversitet. Sepse një identitet politik përforcohet përmes mosdakordësive dhe jo unanimitetit të imponuar a konformist, siç shkruan filozofi i shquar Roger Scruton në librin e tij të famshëm, “Si me qenë i djathtë”.
Të gjitha këto e plot të tjera janë “urdhëresa” të shenjta të identitetit të një partie të qendrës së djathtë. Që nuk është e djathtë sepse vetëpagëzohet e djathtë, por kur funksionon si e tillë.
Rinovimi i lidershipit është një tjetër “urdhëresë” kësisoj. Pyetja “kush duhet të na drejtojë” konsiderohet e gabuar për kulturën demokratike. (Në këtë kuptim, pyetja “kush duhet ta marrë PD po iku Berisha” është e gabuar.)
Pse quhet e gabuar? Sepse në demokraci liderin e nxjerr gara e lirë, e drejtë, e barabartë. Këto elementë duhet të funksionojnë në harmoni. Sikur njëri prej tyre të cenohet apo të mungojë, zgjedhja del me cen, e padobishme në qëllimin e fitores ndaj partisë kundërshtare.
Barazia ka munguar në shumicën dërrmuese të garave për zgjedhjen e kryetarit të PD-së. Edhe kur i është dashur ta delegojë postin e kryetarit formal, duke mbetur vetë në rolin e kryetarit të kryetarit, zgjedhjet në PD i ka determinuar Berisha dhe pabarazia. Megjithatë, rinovimi formal i liderit, edhe pse me gjyle nëpër këmbë, siç është shembulli i Lulzim Bashës, ka dhënë shkëndija dhe efekte pozitive. Në zgjedhjet e vitit 2021, Basha arriti ta hapte garën për marrjen e pushtetit. Deri në fotofinish në Tiranë. Në një kohë kur qeveria e Ramës kishte në mbështetje më shumë banda elektorale dhe shumë zyrtarë të korruptuar që kanë përfunduar në burgje ose në arrati këto katër vite, falë hetimeve të SPAK.
Le të imagjinojmë impulset që do të kishte sjellë e do të sillte në PD një lider që zgjidhet me garë të lirë, të drejtë e të barabartë, ku Sali Berisha ofrohet si një nga garantët e garës së barabartë, por nuk merr pjesë vetë dhe mban paanësinë. Ai duhet të zgjedhë: të bjerë bashkë me të, ose të lejojë ravgimin e saj si parti popullore nëpër histori të reja suksesi që do t’u shtoheshin, si në një stafetë, të mëparshmëve me shenjën e tij. Në të kundërtën rrezikon arkivimin vetë historia e subjektit.
A e ka PD një lider apo liderë të tillë? Ka më shumë se një. Ka disa. Fituesin e një gare të drejtë e forcon në kostumin e lidershipit vetë fitorja e pakontestuar, vetë përgjegjësia, vetë drejtimi i partisë në bazë të programit me të cilin ka bërë diferencën me rivalët, duke i integruar ata si kolegë në postet partiake.
Një lider i tillë, reformues i komunikimit dhe akomodues i arsyes në parti, e çon PD-në drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme.
Por nëse Berisha do të këmbëngulë t’i prijë asaj drejt një disfate të re edhe më të madhe me secilin prej pasuesve të freskët të Edi Ramës, shanset për një rilindje të PD-së pas pesë humbjesh radhazi do të reduktoheshin në maksimum. Politologjia e vendos në kursin e zvogëlimit të përshpejtuar një parti që humb kaq shumë zgjedhje radhazi. Në këtë pikë, rasti Berisha, unikal në Europën postkomuniste, nuk ka shanse të sfidojë ligjësitë.
Top Channel