“Në Bruksel u bë pretenca ndaj Edi Ramës”, Berisha: Në PPE u denoncua farsa elektorale në Shqipëri

07/06/2025 12:52

Kryedemokrati Sali Berisha tha se në Bruksel u bë pretenca ndaj kryeministrit Edi Rama, gjatë një deklarate për mediat.

Në PPE u denoncua farsa elektorale, sipas Berihës, ndërsa falënderoi  kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister dhe koordinatorin e grupit më të madh parlamentar në Parlamentin Europian, Michael Gahler.

Berisha: Paradokset janë të shumëllojta, por paradoksi më i madha në fushën mediatike-komunikative ka ndodhur në Shqipëri, mbasi vizita e kryetarit të PD-së në Bruksel, krijoi lajme, editoriale, artikuj dhe kryeartikuj, 34% më shumë, në Shqipëri është fjala, se sa samiti i Bashkimit Politik Europian.

Mendoj se, rrallë ndonjëherë PD-ja ka kapur një apogje të tillë, dhe kjo dëshmon se sa e drejtë, sa i rëndësishëm, çfarë fuqie ka misioni i saj për mbrojtjen e votës së lirë të shqiptarëve. Ju keni parë këto ditë, nga dita e martë e javës që kaloi gjer sot, një mori të pafund shfrimesh të një lakeizmi, të neveritshëm në shkallë ekstreme të qeveritarëve, të cilët rendin me ngashërimet e tyre se si të qetësonin kryetarin e organizatës së tyre kriminale Edi Ramën dhe si të merrnin në formacionet e reja të narkoshtetit një pozicion më të përshtatshëm.

Mori një demaskim edhe njëherë farsa zgjedhore në të gjitha dimensionet e saj. Kurrë ndonjëherë në 34 vite, Brukseli nuk ka qenë më shqiptar se, sa ato dy ditë të javës së kaluar.
E marta dhe e mërkura e javës ishin ditët në të cilat në tempullin e demokracisë u mbrojtën interesat jetike të shqiptarëve, vota e lirë e tyre dhe u bë pretenca ndaj Edi Ramës, farsës elektorale, mandateve kallp.
U bë pretenca e shtetit monstruoz elektoral shqiptar. Ishin ditët më të veçanta. Prandaj u them çdo shqiptari se aty, me sensin e madh të përgjegjësisë ndaj çdo qytetari shqiptar që beson te vota e lirë, me sensin më të madh të kësaj përgjegjësie.

Ne mbrojtëm interesat më jetike të votës së lirë, të dinjitetit të shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Ishin ditë të cilat i dhanë një rrjedhë të re shpresës dhe besimit se, shqiptarët do të votojnë të lirë si kombet e tjera.

Por unë në emër të të gjithë shqiptarëve, që janë shumicë dhe që duan votën e lirë, shpreh mirënjohjen më të madhe PPE-së, presidencës së kësaj partie, e cila me gojën e sekretares së Përgjithshme në një deklaratë, denoncoi farsën elektorale në Shqipëri si një akt i shëmtuar.

Falënderoj me mirënjohje të thellë, kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, i cili me udhëheqjen e tij e shndërroi këtë institucion në një avokat të fuqishëm të të vërtetave të mëdha.
Një mirënjohje të pakufishme për koordinatorin e grupit më të madh parlamentar në Parlamentin Europian, Michael Gahler, europdeputet që u paraqiti kolegëve të tyre si në Komisionin e Jashtëm ashtu dhe në asamblenë politike, të gjithë të vërtetën e farsës elektorale në Shqipëri.
Dënoi me të forcën më të madhe këtë farsë, dhe u bë një avokat, një zë i fuqishëm, i pamposhtur i interesave të shqiptarëve për votën e lirë.

Partia Popullore Europiane (PPE) ka vendosur të përfshijë Shqipërinë në axhendën e saj për misione verifikimi.

Vendimi erdhi pas kërkesës së Kryetarit të PD, Prof. Dr. Sali Berisha, i cili kërkoi ndihmën e PPE-së dhe partive simotra gjatë fjalës së tij në asamblenë politike të PPE në Bruksel për të dërguar një mision faktmbledhës në vendin tonë.

Sekretarja e Përgjithshme e PPE-së, Dolors Montserrat, deklaroi: “Vendosëm të bëjmë dy misione, një në Liban dhe një në Moldavi, por tani do ta vendosim si prioritet edhe Shqipërinë. Mendoj se është një ide e mirë kur na kërkoni diçka, ndaj do ta vendosim si një nga prioritetet dhe objektivat tona që të bëjmë një mision në Shqipëri.”

Top Channel