Debati për burgun e Spaçit, Gonxhe: Ndërhyrja do realizohet vetëm pas zbërthimit të detajuar bazuar në foto e dëshmi historike

07/06/2025 13:12

Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe ka reaguar mbi debatin e restaurimit të burgut të Spaçit.

Në një postim në profilin e tij zyrtar, ai theksoi se nuk është pjesë e ndërhyrjes ringritja e banjove dhe terracës mbi to, as nuk është aprovuar nga IKTK dhe as nuk përfshihet në projekt e kontratë.

“Elementet e tjerë si një kullë metalike, një copë rrethimi, një portë dhe një fragment kangjelle të përfshira në kontratë, do të realizohen vetëm pas zbërthimit të detajuar bazuar në foto e dëshmi historike si edhe do të jenë të çmontueshme në rast ndërhyrjesh të tjera në vijim sipas Planit të Menaxhimit (çdo informacion do të jetë publik), theksoi ai.

Ministri Blendi Gonxhe: Duke i uruar të gjithëve një fundjavë të mbarë, nisur nga disa debate që vijojnë edhe në mediume publike e rrjete sociale, shpresoj se pamjet nga Spaçi provojnë reagimin dhe situatën korrekte të punës konservuese.

Mbi disa pikëpyetje shtesë:
Nuk është pjesë e ndërhyrjes ringritja e banjove dhe terracës mbi to, as nuk është aprovuar nga IKTK dhe as nuk përfshihet në projekt e kontratë!

Elementet e tjerë si një kullë metalike, një copë rrethimi, një portë dhe një fragment kangjelle të përfshira në kontratë, do të realizohen vetëm pas zbërthimit të detajuar bazuar në foto e dëshmi historike si edhe do të jenë të çmontueshme në rast ndërhyrjesh të tjera në vijim sipas Planit të Menaxhimit (çdo informacion do të jetë publik).

Çdo përgjegjësi gjatë fazës zbatuese është nën shqyrtim. Sqarimi i MEKI ka qenë shterrues dhe po ashtu masat nga IKTK.

Faleminderit për mirëkuptimin tërë të interesuarve që me të drejtë u alarmuan nga dy foto të punimeve fillestare. Ndjesë për shqetësimin, edhe pse në çdo rast zbatimi do të respektonte projektin dhe kushtet e kontratës!

“Revoltë në ferr” është titulli provizor i projektit kinematografik i Namik Ajazit dhe Visar Zhitit, për të cilin artistët synojnë të nisin punën në sheshxhirim brenda këtij viti në ambientet e ish-Burgut të Spaçit.

Për skenat e xhirimit, do të përdoren objektet e restauruara nga faza e parë e projektit të miratuar nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore.

Pikërisht kjo ka shkaktuar një debat të ashpër në publik, për të cilin Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit tha më parë se sjellja e kësaj historie në ekran, me vërtetësi artistike dhe etike, është detyrim moral dhe kulturor, si ndaj të kaluarës, ashtu edhe ndaj brezave që vijnë.

Sipas MEKI-t, plani i menaxhimit, është konceptuar pas një analize të detajuar dhe pas një raundi konsultimesh me grupet e interesit, përfshirë ish të burgosur politikë, artistë dhe profesionistë të kulturës.

Top Channel