
Qytetet dhe fshatrat janë zgjuar sot nga thirrja e faljes së klerikëve myslimanë në xhamitë dhe sheshet kryesore në ditën e Kurban Bajramit.
Në të gjithë Shqipërinë janë organizuar ceremonitë e faljes së mëngjesit
Klerikët dhanë edhe mesazhet e tyre. I pari ishte për Gazën:
“Gëzimi është në mesin tonë, ndërgjegjja jonë nuk është e shurdhër ndaj realitetit të vështirë që përjetojnë vëllezër tanë në pjesë të tjera të botës, e veçanërisht në Rripin e Gazës. Aty, njerëzit janë të privuar nga gëzimi i Bajramit, nga siguria, nga ushqimi dhe nga shpresa”
Në Vlorë Ceremonia është drejtuar nga Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhleku, i cili ka uruar besimtarët në këtë ditë duke dhënë dhe mesazh për paqe kudo në botë: Mos të ketë luftë, mos të ketë vrasje të fëmijëve të vegjël, të pafajshëm.
Klerikët kanë dhënë mesazhet e tyre për besimtarët shqiptarë edhe për problemet e forta sociale që po kalojmë
“Thirrja jonë e vazhdueshme është që mos të braktisin vendin dhe të mos largohen pa u përpjekur këtu. Ikja nuk është zgjidhje dhe nuk mund të presim që të tjerët të na ndërtojnë kombin, sepse ne jemi përgjegjës, ashtu siç janë edhe ata që na drejtojnë”
Pas mesazheve ishte radha e urimeve për njëri tjetrin në këtë ditë të rëndësishme e cila simbolizon sakrificën duke përkujtuar gatishmërinë e profetit Ibrahim për të flijuar djalin e tij si shenjë bindjeje ndaj zotit.
Top Channel