
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Uzinën e Ferrokromit në Elbasan, ku Rudin Mecja, me profesion mekanik dhe banues në lagjen “Luigj Gurakuqi” të qytetit të Elbasanit, ka mbetur i plagosur rëndë gjatë procesit të punës në turnin e parë.
Sipas burimeve nga vendngjarja, mbi trupin e tij ka rënë një pllakë metalike me peshë prej disa qindra kilogramësh, duke i shkaktuar dëmtime serioze.
Mjekët kanë konstatuar paraprakisht trauma të shumta, me dëmtime të brendshme, që e kanë vënë në rrezik për jetën. Për shkak të gjendjes kritike, i plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po i nënshtrohet trajtimit të specializuar mjekësor.
Ky incident ndodh vetëm një muaj pas një vendimi penalizues ndaj kompanisë e cila në muajin maj ishte gjobitur me 8 milionë lekë te vjetra nga autoritetet për shkelje të rënda të standardeve të sigurisë teknike në procesin e punës. Sipas raportimeve të atëhershme, kompania nuk kishte garantuar mbrojtjen dhe masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punonjësve.
Top Channel