Nën rrezikun e zjarreve në Gjirokastër, zjarrfikësit nisin punën për të “edukuar” blegtorët

04/06/2025 12:29

Me afrimin e verës, autoritetet në qarkun e Gjirokastrës po marrin masa për parandalimin dhe menaxhimin e emergjencave nga zjarri.

Viti i kaluar shënoi një sfidë të madhe, me zjarre masive që përfshinë zona të mëdha që nga lartësitë e maleve deri tek tokat bujqësore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në prona.

Drejtori i zjarrfikësve në Gjirokastër Gramoz Llapi tha: “Vitin e kaluar kemi pasur zjarre masive në njësinë Cepo dhe në rajonet përreth. Forcat zjarrfikëse, vullnetarët dhe ushtria u angazhuan maksimalisht për të përballuar situatën. Këtë vit kemi nisur më herët sensibilizimin, veçanërisht me blegtorët, të cilët shpesh janë të lidhur me raste të zjarrvënieve të qëllimshme.”

Zjarret e vitit të kaluar shkatërruan  pemë frutore, vreshta, ullishte, por edhe bletë, bagëti dhe oborre private. Në zonat e Lunxhërisë, Cepos dhe Odries, zjarret që shuheshin rindizeshin për javë me radhë, duke krijuar një situatë dramatike. Përveç dëmeve materiale, janë prekur edhe habitatet e jetës së egër dhe shpendët që folezojnë në luginë, si dhe kafshët e egra që jetojnë në këto zona.

Për gati një muaj mes korrikut dhe gushtit të vitit të kaluar, tymi dhe smogu mbuluan luginat e Drinos dhe Vjosës  duke shkaktuar shqetësime të mëdha edhe për shëndetin e banorëve. Po ashtu, disa familje u detyruan të evakuoheshin për shkak të rrezikut nga flakët.

Si pasojë e kësaj situate, këtë vit autoritetet kanë ndërmarrë masa të shtuara.

Zjarrfikësit me kontrata të përkohshme janë angazhuar për t’u bërë sinjalizues të zjarreve dhe për të ndërhyrë shpejt në raste emergjence, ndërsa janë formuar dhe trajnuar ekipe vullnetare nga punonjës të bashkive, që do të mbështesin operacionet lokale.

Drejtori i zjarrfikësve Gramoz Llapi thekson: “Kemi zjarrfikës me kontrata të përkohshme që janë sinjalizues, por do të ndërhyjnë në raste zjarri dhe do të trajnohen. Gjithashtu kemi ekipet e vullnetarëve që janë punonjës të bashkisë dhe edhe ata do të trajnohen. Ndërkohë kemi marrëveshjen me policinë që do të na mbështesë në dokumentimin dhe ndjekjen penale për çdo rast të zjarrvënieve të qëllimshme.”

Këtë verë bashkëpunimi me policinë është vendimtar për ndjekjen e autorëve të zjarreve që shpesh janë të qëllimshme, dhe vënien e tyre para përgjegjësive ligjore. Vitin e kaluar vetëm në zonën e Finiqit u regjistruan rreth 1300 vatra zjarri, por për fat të keq, nuk u ndalua asnjë person përgjegjës.

 

Top Channel