
Në zemër të Parkut Natyror Korab-Koritnik-Kallabak, në lëndinat e gjelbra të fshatit Novosej, lulëzon një nga simbolet më të bukura të pranverës shqiptare, lulja e narcisit, e njohur ndryshe si “Lulja e Poetit”.
E bardhë dhe delikate, kjo lule çel çdo pranverë si një kujtim i natyrës për thjeshtësinë dhe hijeshinë. E rritur e egër, në ajrin e pastër të maleve të Kallabakut, narcisi është bërë pjesë e identitetit të zonës.
Për shumë vizitorë, ky është një destinacion i pazakontë, por magjepsës.
Megjithëse rruga drejt fshatit mbetet sfiduese, peizazhi mahnitës dhe kjo lule unike e bëjnë udhëtimin të vlefshëm në çdo hap.
Për banorët, narcisi nuk është thjesht një lule, por një trashëgimi natyrore, kulturore dhe gjithnjë e më shumë, një mundësi ekonomike.
“Lulja e Poetit” jo vetëm që zbukuron luginën e Novosejt, por po kthehet edhe në një shpresë të re për zhvillimin e turizmit në këtë cep të qetë e të veçantë të Shqipërisë.
Top Channel