
Rusia ka publikuar tekstin e plotë të memorandumit të armëpushimit që i paraqiti Ukrainës dje pasdite, gjatë negociatave midis delegacioneve të të dy vendeve në Stamboll.
Moska po kërkon një sërë lëshimesh nga Kievi në mënyrë që të bjerë dakord të lëshojë armët, pa treguar për momentin ndonjë gatishmëri për t’u dorëzuar ndaj kërkesave të saj.
Në pikat kryesore të memorandumit, Rusia po kërkon:
– njohjen ligjore ndërkombëtare të bashkimit të Krimesë, Luhanskut, Donetskut, Zaporizhias dhe Khersonit me Rusinë
– një deklaratë të neutralitetit të Ukrainës dhe refuzimin e saj për t’u bashkuar me aleanca ushtarake
– ndalimin e aktiviteteve ushtarake të shteteve të tjera në Ukrainë
– sigurimin e karakterit jo-bërthamor të Ukrainës
– përcaktimin e numrit maksimal të Forcave të Armatosura të Ukrainës
– heqjen e sanksioneve ekonomike të vendosura ndaj Rusisë
– sigurimin e të drejtave dhe lirive të popullsisë rusishtfolëse
– heqjen e kufizimeve mbi aktivitetet e Kishës Ortodokse të Ukrainës
– ndalimin e glorifikimit të nazizmit
– rivendosjen graduale të marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike me Ukrainën
– heqjen dorë reciproke nga pretendimet për dëmet e shkaktuara nga operacionet ushtarake
– zgjidhjen e çështjeve që lidhen me ribashkimin e familjeve dhe personave të zhvendosur.
Përveç kësaj, Rusia ofron dy mundësi për armëpushimin:
Opsioni 1: Tërheqja e forcave të armatosura ukrainase nga territoret ruse të pushtuara nga Ukraina në rajonet e Luhanskut, Donetskut, Zaporizhias dhe Khersonit
Opsioni 2: Ndalimi i ripozicionimit të forcave të armatosura të Ukrainës, ndërprerja e mobilizimit, përjashtimi i pranisë ushtarake të vendeve të treta, ndërprerja e ndihmës së huaj ushtarake për Kievin, refuzimi nga Kievi për t’u angazhuar në sabotim kundër Rusisë, amnistia e ndërsjellë e të burgosurve politikë dhe lirimi i civilëve të ndaluar, heqja e gjendjes së jashtëzakonshme në Ukrainë, mbajtja e zgjedhjeve në Ukrainë jo më vonë se 100 ditë pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme.
Top Channel