Nis provimi i gjuhës së huaj edhe në Durrës, testohen mbi 2 mijë maturantë

03/06/2025 10:26

Procesi i Maturës Shtetërore 2025 ka nisur sot edhe në Durrës me provimin e parë, atë të gjuhës së huaj.

Në të gjithë territorin e bashkisë Durrës janë 2,450 maturantë, të shpërndarë në 11 qendra provimi, që po i nënshtrohen provimit të parë të Maturës.

Sipas ZVA Durrës, janë marrë të gjitha masat për zhvillimin e provimeve në kushte të sigurta dhe në përputhje me të gjitha standardet e përcaktuara nga Ministria e Arsimit.

Ambientet janë përgatitur paraprakisht për të garantuar komoditetin dhe sigurinë e nxënësve gjatë provimeve, ndërsa ka pasur dhe vonesa të vogla në fillimin e procesit.

Për mbarëvajtjen e këtij procesi, bëhet me dije se janë angazhuar rreth 500 punonjës të sistemit arsimor, përfshirë drejtues shkollash, mësues, psikologë, punonjës socialë dhe oficerë sigurie.

Procesi ka nisur me një inspektim të plotë paraprak të çdo qendre provimi nga ZVA Durrës, për të garantuar respektimin e të gjitha rregullave dhe kushteve që lidhen me vlerësimin e nxënësve dhe integritetin e procesit.

Top Channel