Ndërhyrjet pa leje në kampin e Spaçit dhe ruajtja kujtesës historike në Shqipëri

03/06/2025 15:56

Nga Jonila Godole

Më dërgojnë foto të ndërhyrjeve pa leje në kampin e Spaçit dhe më pyesin “përse nuk po reagon?” Po ç’reagim doni prej meje?!

Prej vitesh kam ngritur zërin për rëndësinë e ruajtjes së vendeve të kujtesës dhe respektimit të historisë sonë kolektive. Në janar 2023, së bashku me institucione dhe kolegë të tjerë, i drejtuam Kryeministrit Rama një kërkesë për të shpallur 21 Majin “Ditë të Qëndresës ndaj Regjimit Totalitar” dhe për t’i dhënë ish-burgut të Spaçit statusin e Muzeut Kombëtar. Deri më sot, heshtje totale.

Por Spaçi nuk është i vetmi rast ku institucionet bëjnë veshin e shurdhër. Kur kam folur kundër mbjelljes së pemëve në kampin e Tepelenës që dëmtonin autenticitetin historik, askush nuk reagoi. Kur kërkova që Piramida në Tiranë të shndërrohej në një muze të mirëfilltë për diktaturën, përsëri heshtje. Edhe kur propozova që vila 31 e diktatorit Hoxha të kthehej në “Shtëpinë e përgjegjësisë”, asnjë përgjigje. Peticioni i IDMC për Dekomunistizim dhe Drejtësi që trajtonte edhe ruajtjen e objekteve historike si Spaçi, mori 2 mijë dhe jo 20 mijë firma siç do duhej për të pasur impakt.

Kam organizuar dhe marrë pjesë në së paku tre konferenca ndërkombëtare, me prani të pushtetit lokal, me partnerë vendas dhe të huaj, për ngritjen e një memoriali në qendër të Tiranës, dhe përsëri, asnjë hap konkret ndodhi. Kur kam ngritur shqetësimin për nostalgjinë e hapur ndaj regjimit në filmat e shfaqur në Bienalen e Venecias, apo çdo kritikë tjetër ndaj prodhimeve të artit dhe kulturës në shërbim të propagandës komuniste, kam marrë vetëm sharje dhe akuza nga publiku virtual dhe të gjithë ata që jetojnë ende në nostalgji.

Të vetmet momente kur institucionet dëgjuan ishin rehabilitimi i memorialit “Postblloku” në hyrje të Bllokut pasi u dëmtua nga grafiti dhe hapja e dyerve të Piramidës për 10-vjetorin e “Memory Days”. Kaq.

Ironikisht, sot kujtesa historike është bërë “trendy”. Qeveria nuk e mbron dot Spaçin, por ndërkohë një pjesë e mirë e të ardhurave nga turizmi vjen pikërisht nga institucionet që promovojnë kujtesën.

Sa kohë do u duhet shqiptarëve ta kuptojnë se e shkuara nuk është e kaluar, por e tashme?

Nëse kemi arritur diçka në fushën e kujtesës këto 10 vite, kjo nuk ka qenë meritë e jona, por falë mbështetjes së të huajve, kryesisht gjermanëve, Fondacionit Konrad Adenauer dhe ambasadave të huaja europiane që kanë ndihmuar aktorët lokalë. Por edhe kjo mbështetje nuk mund të vazhdojë pafund, ka të tjera zhvillime dhe prioritete në horizontin e BE-së. Prandaj, ajo që po shohim tani: party në vilën 31, qofte në Piramidë, filma në Spaç, është vetëm fillimi i fundit.

 

Top Channel