Trafikim armësh dhe droge! Goditet grupi kriminal në Fier, arrestohen 4 persona me rrezikshmëri të lartë

03/06/2025 10:12

Policia e Fierit goditi sot një grup kriminal të trafikut të armëve, por edhe kultivimit e shitje së kanabisit. Në pranga ranë katër anëtarë të këtij grupi.

Boran Buzi, 48 vjeç, banues në Kallm të Fierit dhe i dënuar më parë në Itali, me 30 vite burg, për “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Armëmbajtja pa leje”, Niko Osma, 53 vjeç, banues në Durrës, me precedent penal në fushën e armëmbajtjes pa leje; Qamil Shurdhi, 48 vjeç, banues në Lushnjë, i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje dhe Besim Buzi, 33 vjeç, banues në Divjakë.

Operacioni policor i koduar “Procedimi” është finalizimi i një procedimi penal të ndjekur me metoda speciale të hetimit, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit”- Skënder Hita, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

Nga hetimet rezultoi se grupi drejtohej nga Boran Buzi dhe Qamil Shurdhi, anëtarët e tjerë kishin rol në sigurimin e armëve dhe në gjetjen e klientëve. Boran Buzi po ashtu mësohet se organizonte kultivimin dhe më pas shitjen e kanabisit.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, grupi trafikonte armë dhe municioneve të kalibrave të ndryshëm, si dhe mbanin armë zjarri, për qëllime kriminale në disa qytete të vendit, si Fier, Lushnjë, Durrës, Shkodër dhe Kukës, ndërsa në disa raste armët siguroheshin nga Kosova dhe futeshin ilegalisht përmes kufirit të gjelbër nga pika e kalimit të Morinës.  Po nga hetimet rezultoi se ky grup merrej edhe me kultivimin dhe shitjen e kanabisit.

Nga kontrolli në 8 banesa, magazina dhe automjete të anëtarëve të grupit u sekuestruan 5000 fara kanabisi; 4000 fidanë kanabisi, 3 armë zjarri automatike, 2 armë gjahu dhe 636 fishekë të kalibrave të ndryshëm;  2 radio si të Policisë, 2 uniforma policie, 1 maskë plastike me paruke; 3 automjete dhe 10 celularë. Polica e Fierit po vijon operacionin për të identifikuar dhe kapur shtetasit e tjerë të përfshirë në këto veprimtari kriminale.

Top Channel