
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi u takua vetëm me Peter Sorensenin, të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Në fakt, takimi i 2 qershorit ishte planifikuar të ishte trepalësh, por ekipi serb është përballur me vonesa gjatë rrugës për në Bruksel, siç pohoi Bislimi i cili sqaroi se në përballjen e parë me Sorensesin në kryeqytetin serb kanë biseduar për qasjen që do të ketë zyrtari europian në fazat e ardhshme të bisedimeve në nivel të kryenegociatorëve, si dhe ato të nivelit të lartë, nën drejtimin e kryediplomates së BE-së, Kaja Kallas.
“Në takimin dypalësh ngritëm një sërë temash për të cilat mendojmë se është shumë me rëndësi që të kemi përgjigje nga Brukseli, apo zgjidhje, p.sh. kemi rastin e menaxhimit të integruar të kufirit ku ka ngecje të mëdha nga ana e Serbisë. Diskutuam edhe për një proces shumë të rëndësishëm që e kemi – mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës përmes ndihmave për fermerët e vegjël”, ka thënë mes tjerash numri dy i qeverisë në Prishtinë.
Në përpjekje për të ripërtërirë dialogun mes dy vendeve, Kallas vizitoi në muajin maj si Prishtinën, ashtu edhe Beogradin, duke bërë thirrje për përmirësim të raporteve, me arsyetimin se vetëm në këtë mënyrë mund të ketë të ardhme europiane për të dyja vendet.
Serbia gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllokun evropian, ndërsa Kosova jo, pavarësisht se ka aplikuar.
I pyetur nga gazetarët nëse kanë kuptim këto takime, pasi tani Kosova është në “vakum institucional”, Bislimi i ka pranuar vështirësitë, ndonëse ka thënë se janë disa tema ku Kosova mund të përfitojë, nëse ka konstruktivitet apo qasje konstruktive nga ana e Serbisë.
Top Channel