
Zilja e fundit për maturantët ra. Nga mësimet në klasa, është koha e testimit të njohurive të fituara në tri vite gjimnaz.
Stresin e nisjes së provimeve të maturës po e përballojnë me shoqërinë e njëri tjetrit duke mbledhur kujtimet e fundit bashkë.
“Normalisht jam e emocionuar se do jetë dita e rezultateve të 12 viteve punë. Pasiguria është e vogël se përgatitja ime ka qenë maksimale, por ankthi është aty se provim fundja. Janë ato emocionet, e di që nesër do qaj në moment të fundit”, shprehet maturantja Gentiana Dragoti.
“Unë kam një kuti që mbaj çdo kujtim jo vetëm nga gjimnazi; bluzën nga aq shumë kemi për të shkruar e kam marr masë të madhe. Do e kem te koleksioni. Po bëhem gati për nesër, dua të vazhdoj Akademinë e Arteve. Kanë qenë disa skeptikë, pse djeg kot mesataren e lartë. Por unë them duhet të ndjek pasionin”, thotw Ibrahim Rustemaj, maturant.
Mëngjesin e të martës së 3 qershorit mbi 27 mijë nxënës të klasave të XXII do ti nënshtrohen provimit të parë të maturës, në gjuhën e huaj. Ndërsa përgatitjet po kryhen që një ditë para.
Edhe pse telefonat janë të ndaluar gjatë provimit, për ata që mund të guxojnë të marrin mjete elektronike me vete, janë marr masa ekstra në institucionet arsimore ku do të zhvillohet testimi: bllokues valësh për të gjitha pajisjet digjitale.
“Nxënësi nga nxënësi duhet të jetë 1.2-1.5 m larg, testimi kryhet në mjedise të hapura, po shfrytëzohen korridore, palestra që janë të monitoruara me kamera. Pra për të pasur një proces transparent dhe të drejtë për të gjithë. Janë vendosur edhe bllokuesit e valëve dhe detektorët. Sipas rregullores nëse maturanti kapet me telefon humbet të drejtën e provimit dhe e jep në sesionin pasardhës”, shprehet Klotilda Jaupaj-drejtoreshë, shkolla e mesme ‘Qemal Stafa’.
Vetëm me kartën e identitetit dhe stilolapsin me vete nxënësit duhet të paraqiten një orë e 30 minuta para nisjes së provimit në 10:00. Ndërsa 7 ditë pas gjuhës së huaj do të testohen në gjuhën shqipe dhe letërsi, më 17 qershor do të vijojnë me matematikën dhe do të mbyllin sezonin me provimin me zgjedhje në 24 qershor. Porositë nuk mungojnë nga stafi mësimor.
“Është fillimi i një rrugëtimi të ri dhe mbyllja e kapitullit të arsimit parauniversitar. Unë do i këshilloja të jenë të qetë, të mos kenë komunikim njëri me tjetrin që secili të punojë në testin e vetë i qetë. Të shohin mes rreshtave dhe kërkesave sepse përgjigjen e kanë aty dhe duhen thjesht të përqendrohen. Marrshin rezultate sa më të mira, se në fund të fundit të gjithë kemi punuar!”, shton më tej ajo.
Top Channel