
Ukraina ka propozuar mbajtjen e një raundi të ri bisedimesh me Rusinë deri në fund të qershorit, me qëllim rifillimin e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës trevjeçare.
“Ne i propozojmë palës ruse të mbajë një takim nga 20 deri më 30 qershor”, tha ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustam Umerov pas bisedimeve në Stamboll të martën.
Ai theksoi se delegacionet e të dy vendeve duhet të kërkojnë të organizojnë një takim të drejtpërdrejtë midis Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin, diçka që presidenti ukrainas e kishte kërkuar muajin e kaluar, pa një përgjigje nga Kremlini.
Në takimin e sotëm, pala ruse u përfaqësua përsëri nga këshilltari presidencial Vladimir Medinsky, i cili kryeson ekipin negociator të Moskës.
Pas bisedimeve, negociatori ukrainas Sergei Kyslitsia tha se Rusia kishte hedhur poshtë përsëri kërkesën e Kievit për një armëpushim pa kushte.
“Pala ruse vazhdoi të refuzonte propozimin për një armëpushim pa kushte”, tha ai në një konferencë për shtyp, duke theksuar se Moska argumenton se marrëveshje të tilla i japin Ukrainës kohë për t’u riorganizuar dhe për t’u furnizuar, ndërsa forcat ruse fitojnë terren.
Top Channel