
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurimit arrest në burg për 8 të arrestuarit për shitblerje armësh.
Trupa gjykuese ka pranuar kërkesën e prokurorisë së Tiranës për masat e sigurimit.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha e cila ka ndjekur procesin, bën me dije se në qeli do të qëndrojnë Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj, Adriano Shehu.
Para gjykatës asnjë nga të dyshuarit nuk ka folur. Ndërkohë që mbrojta ka ngritur pretendime se është vepruar në kundërshtim me ligjin për sa i përket blerjeve të stimuluara, pasi sipas tyre policia po i shtyn njerëzit në veprime të kundraligjshme.
Po ashtu avokatët kanë kërkuar prova dhe fakte për secili nga të dyshuarit, për veprimet konkrete që ata kanë kryer. Gjithashtu ata kanë kërkuar edhe aktekspertizat e armëve nëse janë ose jo funksionale.
Mbrojta i ka kërkuar gjykatës që ta cilësoj të paligjshëm arrestimin. Ata i kanë kërkuar gjykatës që të mbahej edhe parasysh fakti që të dyshuari nuk kanë precedent të mëparshëm penal.
Ndërkohë organi i akuzës ka vënë në dispozicion të gjykatës aktekspertimet e kryera për armët që janë kapur më herët kur është bërë ndalimi i Altin Pajazitit dhe Kadri Prushit, ku njëra nga armët rezulton jashtë funksionit.
Gjatë operacionit të zhvilluar nga ana e strukturave të rendit u sekuestruan 14 armë zjarri 12 pistoleta ku njëra prej tyre me silenciator, dhe 2 automatikë, 2077 fara cannabisi, krehra dhe municion luftarak, 3 automjete dhe 8 celularë.
Top Channel