Ultimatumi i Izraelit ndaj Hamasit: Pranoni propozimin e SHBA-së ose do iu shkatërrojmë

31/05/2025 09:45

Qeveria izraelite ka paralajmëruar Hamasin se ose do të duhet të pranojë propozimin e SHBA-së për një armëpushim dhe të lirimit të pengjeve që mban nga sulmi i 7 tetorit të 2023 ose do të zhduket, ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump siguroi se armëpushimi ishte “shumë afër”.

Izraeli po përballet me presion ndërkombëtar në rritje në lidhje me luftën e vazhdueshme në Rripin e Gazës dhe situatën humanitare në enklavën palestineze, ku bllokada për më shumë se dy muaj, megjithëse u lehtësua pjesërisht javën e kaluar, ka shkaktuar mungesa të përhapura të ushqimit, ilaçeve dhe mallrave të tjera thelbësore.

Në mes të muajit, ushtria izraelite përshkallëzoi edhe më tej operacionet e saj ushtarake, me qëllime të deklaruara publikisht për lirimin e pengjeve të mbetura, vënien nën “kontroll” të të gjithë enklavës palestineze dhe shkatërrimin e Hamasit, i cili mori pushtetin atje në vitin 2007.

Mbrëmë, Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se ushtria e tij po vazhdonte operacionet e saj “me të gjitha fuqitë e saj” dhe në të njëjtën kohë “duke larguar popullsinë lokale nga çdo zonë beteje”, në një deklaratë drejtuar Hamasit.

“Vrasësit e Hamasit tani duhet të zgjedhin: A do t’i pranojnë kushtet e ‘marrëveshjes së Witkoff’ për lirimin e pengjeve apo do të zhduken”, tha ai.

 

Top Channel