PD përshëndet mesazhin e zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit: Fakt i pamohueshëm se…

31/05/2025 21:18

Partia Demokratike ka përshëndetur mesazhin e zyrtarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit.

Në reagimin e PD-së thuhet se SHBA-ja ka shprehur qartë se rezonon fuqishëm me kauzat e Partisë Demokratike dhe me gjendjen e Shqipërisë.

“Partia Demokratike përshëndet mesazhin e Këshilltarit të Lartë në Byronë për Demokraci, të Drejtat e Njeriut dhe Punën (DRL) në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, z. Samuel Samson, të përcjellë nga Ambasada e SHBA në Tiranë.

Në këtë mesazh, qendrimi i Shteteve të Bashkuara për liritë e individit, i shprehur qartë si nga Presidenti Trump, nga Zv. Presidenti JD Vance dhe nga Sekretari Rubio, rezonon fuqishëm me kauzat e Partisë Demokratike dhe me gjendjen e Shqipërisë.

Të ripërmbledhura nga z. Samson dhe të ritheksuara nga Ambasada e SHBA për rastin e Shqipërisë, janë një denoncim për narkoregjimin e Edi Ramës. Kjo, sepse është fakt i pamohueshëm se në të katër kolonat e mesazhit- “Shtypja e fjalës, lehtësimi i emigrimit masiv, shënjestrimi i shprehjes së besimit dhe minimi i zgjedhjes elektorale” – mbështetet narko-regjimi i Edi Ramës dhe qeverisë së tij, përmes bashkëpunimit me patronazhistët dhe kartelët e drogës.

Ato kërcënojnë opozitën, demokracinë, vetë shoqërinë në tërësi dhe, siç me të drejtë vëren z. Samson, “vetë themelet e partneritetit transatlantik.”

Partia Demokratike, duke qenë mirënjohëse për kohën dhe dinjitetin universal të mesazhit të Departamentit të Shtetit, thekson nevojën që shpreh edhe Rezoluta e sapomiratuar e IDC-CDI: një qeveri teknike për zgjedhje të lira. Ajo u garanton partnerëve tanë se mbetet e vendosur për rikthimin e shtetit ligjor dhe të zgjedhjeve të lira në Shqipëri”, thuhet në reagimin e plotë.

Top Channel