
“Alessio Tucci veproi me mizori”. Kështu deklaroi prokurorja e Napolit Verior, Annamaria Lucchetta, gjatë një konference për shtyp, duke zbardhur detaje tronditëse nga hetimi për vrasjen e 14-vjeçares Martina Carbonaro, e cila u vra brutalisht nga ish-i dashuri i saj, 19-vjeçari Alessio Tucci, në qytetin Afragola.
Sipas prokurores, Tucci i shkaktoi viktimës një sërë goditjesh të rënda, duke e konsideruar këtë një akt të pastër mizorie.
“E kundërshtuam dhe gjykatësi u pajtua se Tucci veproi me egërsi. Një tjetër rrethanë rënduese ishte fakti se kishte ekzistuar një marrëdhënie emocionale mes tyre, e cila kishte marrë fund”, shtoi Lucchetta.
Hapat kyç të hetimit
Prokurorja shpjegoi se kthesa në hetim erdhi në momentin kur kamerat e sigurisë regjistruan Martinën në shoqërinë e Alessio Tucci-t, pranë një ndërtese në zonën rurale të Campo Moccia-s. Bazuar në këto pamje dhe në gjurmimin e telefonit celular të autorit, hetuesit arritën të përcaktonin vendndodhjen e trupit të pajetë të adoleshentes.
Shpresa për ta gjetur Martinën gjallë, tha prokurorja, u shua plotësisht kur u zbuluan syzet e saj – një send personal që ajo nuk e hiqte kurrë. “Ishin syzet ato që na bënë të kuptojmë se gjithçka kishte marrë fund”, shtoi ajo.
Pranimi i fajit
Përballë provave të pakundërshtueshme, Alessio Tucci ka pranuar autorësinë e krimit gjatë seancës paraprake. Pranimi i tij, i bërë pas publikimit të pamjeve nga kamerat dhe analizës së të dhënave të telefonit, shënoi një tjetër hap drejt zbardhjes së plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur opinionin publik italian.
Top Channel