“Trump na ushqen, ndërsa Hamasi…”, organizata joqeveritare amerikane shpërndan mbi 2 milionë vakte për palestinezët

30/05/2025 17:14

Organizata joqeveritare me seli në SHBA, Gaza Humanitarian Foundation, njoftoi se ka shpërndarë më shumë se dy milionë vakte gjatë katër ditëve të ofrimit të ndihmës humanitare për popullin e Gazës.

Numri i përgjithshëm i vakteve, sipas përditësimit të GHF, është “afërsisht 2,170,822 në 23,040 kuti”. Çdo kuti ka për qëllim të ofrojë tre vakte në ditë, për afërsisht katër ditë, për një familje prej afërsisht pesë personash.

Vendi i shpërndarjes në Tel Sultan përgjatë kufirit Egjipt-Gazë shpërndau ushqim sot me gjashtë kamionë, sipas njoftimit, një total prej 5,760 kutish që përmbanin afërsisht 332,640 vakte. Nuk pati incidente sigurie gjatë ditës së djeshme, thekson i njëjti përditësim.

Në një postim në X, teksa palestinezët marrin ndihmat në pikat e shpërndarjes, falenderojnë presidentin amerikan, Donald Trump.

“Trump na ushqen, ndërsa Hamasi na vdes urie”, thotë një nga qytetarët, teksa merr ndihmat ushqimore.

 


OKB ka thënë se ndihma duhet të shpërndahet me 600 kamionë në baza ditore për të ushqyer në mënyrë adekuate afërsisht dy milionë njerëzit që jetojnë në Rripin e Gazës. GHF është kritikuar për mungesën e aksesit për dhjetëra mijëra banorë që ende ndodhen në Gazën veriore, por thotë se planifikon të hapë qendra shtesë, duke përfshirë edhe në Rripin verior në javët e ardhshme. IDF thotë se 1/3 e kamionëve që kanë hyrë në Rrip kanë arritur në qendrat e shpërndarjes

Ndërkohë, ushtria izraelite tha sot se 760 kamionë që transportonin ndihma humanitare kanë hyrë në Rripin e Gazës në 12 ditët e fundit, por vetëm 238 prej tyre kanë arritur në qendrat e shpërndarjes për banorët.

Sipas IDF, rreth 520 kamionë të tjerë janë ende duke pritur në kalimin kufitar Kerem Shalom për t’u marrë nga OKB-ja. Nga 238 kamionët e planifikuar për të dërguar ndihma në Rrip, rreth gjysma janë plaçkitur, shumica nga civilët dhe një pakicë nga Hamasi.

Ushtria shtoi se që nga rifillimi i ndihmës humanitare, rreth 60,000 pako nga Izraeli kanë mbërritur në Kerem Shalom çdo ditë, ku ato kontrollohen para se të ngarkohen në kamionë.

Top Channel