
Kuvendi i Shqipërisë hapi sot dyert për fëmijët, në prag të 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve. Në një atmosferë festive e edukative, Salla e Seancave Plenare u kthye në një vend mikpritës ku fëmijët patën mundësinë të njihen nga afër me punën e Kuvendit dhe rolin e tij në jetën e qytetarëve.
Në qendër të aktivitetit ishte prezantimi i Kushtetutës për Fëmijë, një botim i ri nga Shërbimi i Edukimit Qytetar që sjell me gjuhë të thjeshtë e ilustrime të krijuara nga vetë fëmijët parimet dhe vlerat e Kushtetutës sonë. Ky botim, i menduar si një mjet didaktik për mësuesit dhe nxënësit, synon të afrojë të vegjlit me idetë themelore të drejtësisë, barazisë dhe dinjitetit njerëzor.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, përshëndeti fëmijët dhe mësuesit e pranishëm, duke theksuar rëndësinë e angazhimit për një të ardhme më të mirë për fëmijët. Ajo lexoi me emocion preambulën e Kushtetutës për Fëmijë dhe u dhuroi kopje të këtij botimi, duke i ftuar që ta përdorin si udhërrëfyes në rrugën e tyre drejt njohjes së të drejtave dhe përgjegjësive.
“Ne shqiptarët jemi krenarë për historinë tonë dhe kujdesemi për të ardhmen. Besojmë tek Zoti dhe tek vlerat që na bëjnë qytetarë më të mirë. Duam të jetojmë në paqe dhe të respektojmë dinjitetin e çdo personi,” lexoi Kryetarja me zë të ngrohtë dhe të qartë.
Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë të mbështesë nisma që promovojnë të drejtat dhe mirëqenien e fëmijëve, duke kontribuar për një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe të drejtë për më të vegjlit tanë.
Top Channel