
Një gjykatë federale apeli në SHBA vendosi të lejojë përkohësisht që tarifat e vendosura nga presidenti Donald Trump të qëndrojnë në fuqi, duke pezulluar një vendim të mëparshëm që i shpallte ato si të paligjshme.
Vendimi vjen një ditë pasi Gjykata Amerikane e Tregtisë Ndërkombëtare në Nju Jork arriti në përfundimin se Trump kishte tejkaluar kompetencat e tij presidenciale duke vendosur taksa të përgjithshme ndaj mallrave të importuara, veçanërisht ndaj atyre nga Kina, Meksika dhe Kanadaja.
Shtëpia e Bardhë, në reagimin e saj, e cilësoi vendimin si një ndërhyrje të papranueshme të gjykatës në politikën tregtare dhe diplomatike. “Amerika nuk mund të funksionojë nëse presidenti i ka duart e lidhura nga gjyqtarë aktivistë,” deklaroi zëdhënësja Karoline Leavitt.
Tarifat në fjalë përfshijnë një taksë 10% për mallrat globale dhe tarifa të shtuara për partnerët kryesorë tregtarë si BE-ja dhe Kina. Ato u vendosën me justifikimin e luftës kundër kontrabandës së fentanilit dhe për të mbrojtur ekonominë kombëtare.
Megjithëse gjykata e shkallës së parë i shpalli të paligjshme, gjykata e apelit vendosi të pezullojë zbatimin e këtij vendimi, në pritje të një shqyrtimi më të thelluar në seancën e radhës më 5 qershor.
Top Channel